‘Trimoshat’ e Edi Ramës s’janë të BKH-së, por amerikanët! Cili ishte mesazhi i k*duar i Edi Ramës, çfarë pritet ti ndodhë pas Ballukut

Incidenti me BKH ishte mesazh politik: ose mbyllet SPAK, ose nis përplasja frontale…

Qëndrimi i ashpër dhe arrogant i Edi Ramës ndaj oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit nuk ishte një reagim spontan apo një incident i izoluar. Ishte një mesazh i koduar, i drejtpërdrejtë dhe i qëllimshëm ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. Një përgjigje politike ndaj ultimatumit që i është dhënë për zgjatjen e mandatit të SPAK dhe të prokurorëve të tij, të paktën edhe për nëntë vite të tjera.

Në podkastin e së dielës, Rama e dha sinjalin e parë. Duke përshëndetur zgjedhjen e Klodian Brahos në krye të SPAK, ai deklaroi se ky trevjeçar i drejtimit të tij do të ishte i fundit për Prokurorinë e Posaçme. Mesazhi ishte i qartë: SPAK ka afat skadence dhe ky afat nuk do të zgjatet.

Sinjali i dytë erdhi një ditë më pas, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së. Rama u shpreh se do të ndërmarrë reforma institucionale edhe i vetëm, nëse opozita nuk pranon versionin e mazhorancës. Ky ishte paralajmërimi se vendimet për drejtësinë nuk do të kalojnë më përmes konsensusit, por me forcën e numrave.

Kjo lëvizje erdhi menjëherë pas një vizite të deputetëve të opozitës në SHBA. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, zhvilloi takime në Uashington, përfshirë edhe me një zyrtare të lartë të Prokurorit Federal amerikan. Sipas burimeve, bisedimet kishin në fokus shtyrjen e opozitës për të inicuar një proces parlamentar që të mos lejojë mbylljen e mandatit të SPAK.

I alarmuar nga këto zhvillime, Rama reagoi publikisht. Ai sinjalizoi se do të ecë përpara edhe pa opozitën, duke përdorur mazhorancën e tij për të miratuar atë që e quan “reforma”. Por këto nuk janë reforma zgjedhore, territoriale apo parlamentare. Janë reforma të dizajnuara drejtpërdrejt për të dobësuar drejtësinë.

Në paketën që po përgatitet, pritet heqja nga Kodi Penal e veprës së “shpërdorimit të detyrës” dhe e “shkeljes së barazisë në tendera”. Janë pikërisht këto dy vepra që kanë mbajtur gjallë hetimet e SPAK ndaj pushtetit. Deri tani, SHBA dhe BE e kanë kundërshtuar hapur këtë vullnet politik. Por Rama vendosi të testojë kufijtë.

Miratimi i ligjit të “paqes fiskale” vetëm me votat e mazhorancës ishte prova e parë e forcës. Paketa u kundërshtua nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, FMN, Banka Botërore dhe Bashkimi Europian, i cili doli me deklaratë zyrtare kundër saj. Rama nuk u tërhoq. E kaloi ligjin dhe dërgoi mesazhin: presioni ndërkombëtar nuk e ndal më.

Incidenti në Kryeministri me oficerët e BKH ndodhi pikërisht në këtë klimë. Rama e ndjen sulmin shumë pranë dhe po përgatit kundërofensivën. Një ofensivë që rrezikon të kthejë pas procesin e integrimit europian dhe të përkeqësojë marrëdhëniet me administratën amerikane.

I përgatitur për këtë përplasje, kryeministri ka nisur të orientohet gjithnjë e më shumë drejt Lindjes, veçanërisht vendeve arabe. Edhe deklarata e tij e ashpër ndaj Rusisë ishte pjesë e këtij komunikimi të koduar: një sinjal se Shqipëria ka alternativa, nëse Perëndimi nuk tërhiqet.

Në këtë operacion, Rama synon ta mbajë Sali Berishën ngjitur pas vetes, si partner të heshtur në zhveshjen graduale të kompetencave të SPAK dhe BKH. Sipas burimeve, po diskutohet edhe heqja e disa kompetencave ekzekutive të policisë gjyqësore të prokurorisë speciale.

Koha është kritike. Ka gjasa që këto lëvizje të përshpejtohen dhe të realizohen brenda dhjetorit. Arsyeja është e thjeshtë: ekziston frika reale se nga përtej oqeanit mund të mbërrijë një goditje e madhe. Një “bombë” që mund të shpërthejë pikërisht aty ku disa javë më parë shkuan “trimoshat” e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Dhe kjo shpjegon gjithçka. Incidenti nuk ishte aksident. Ishte paralajmërim./Pamfleti