Qindra protestues dhe mbështetës të Partisë Demokratike janë mbledhur në bulevardin kryesor të Tiranës, përballë Kryeministrisë, ku pas pak minutash pritet të mbërrijë dhe Sali Berisha. Ata do të kërkojnë largimin e Edi Ramës dhe kabinetit të tij.
Fiks nën zyrën e tij, gjithçka është gati për protestën e parë kombëtare të opozitës, pas shumë muajsh. Nuk dihet sesi do të organizohet ajo, por ditët e fundit diskursi opozitar ka qenë i ashpër ndaj pushtetit.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të siguruar mbarëvajtjen e tubimit, si dhe institucionit të Kryeministrisë. Mbi tarracën e saj, janë shfaqur pak momente më parë dhe efektivët e Forcave Speciale RENEA, gati për çdo situatë.
Më herët këtë të hënë, Selia diplomatike e Rrugës së Elbasanit, ka lëshuar një mesazh paralajmërues për të gjithë qytetarët amerikanë në Tiranë, që të tregohen të kujdesshëm sepse Partia Demokratike ka thirrur protestë kombëtare.
Referuar komunikatës, sqarohet se protesta do të nisë e qetë, por në tubime të tilla situatat ndryshojnë shpejt, ndaj qytetarëve amerikanë u kërkohet të shmangin sheshin Skënderbej dhe atë Nënë Tereza.
“Edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Udhëzimi ynë i vazhdueshëm është të shmangen zonat e protestave”, thuhet në mesazh.
Kjo është hera e parë, pas shumë kohësh, që Ambasada Amerikane në Tiranë lëshon një mesazh paralajmërues për të gjithë qytetarët e vetë, që të tregohen të kujdesshëm.
© Newsbomb.al




