Personi që shihni në foto është Eno Agasi, djali i xhaxhait të Ergys Agasit, i cili dyshohet se ka lidhje me zhdukjen e një sasie të madhe vere të sekuestruar nga autoritetet e cila u gjend në banesën e kushëririt të tij.
Pasditen e së dielës doli në dritë një tjetër skandal, se si verërat miliona euro u zhdukën nën “hundën” e shtetit. Lidhur me këtë ngjarje autoritetet kanë shpallur në kërkim Eno Agasin, i cili dyshohet se ka hequr shishet miliona euro duke penguar kështu zbulimin e së vërtetës.
Nga hetimet ka rezultuar se përgjatë natës, Agasi ka larguar të gjithë sasinë e verës nga kantina e zbuluar në banesën e kushëririt të tij, Ergys Agasi. Jo vetëm kaq, por më pas është hequr edhe serveri i kamerave të sigurisë, duke fshirë çdo provë të mundshme mbi lëvizjen e mallrave dhe personave. Kur furgonët e Doganave u rikthyen për të marrë verën dhe për ta transportuar drejt ruajtjes, konstatuan se kantina ishte bosh.

Koleksioni i zhdukur, i njohur si “Petrvs Pomedol”, përfshinte shishe shumë të rralla, disa prej të cilave datonin që nga viti 1922. Ai u zbulua gjatë një kontrolli të ushtruar nga agjentët e BKH-së, me urdhër të SPAK-ut, në kuadër të hetimeve për tenderat e dyshuar të manipuluar nga AKSH-i.
Për shkak se vera ishte pa pullë fiskale dhe e futur kontrabandë, Prokuroria njoftoi Drejtorinë e Doganave, e cila bëri inventarizimin për disa orë dhe përllogariti një dëm prej rreth 400 mijë eurosh ndaj buxhetit të shtetit nga mospagimi i akcizës dhe detyrimeve të tjera.
“Ergys Agasi është këtu!” Si u fuqizua djali i ish-deputetit socialist, sot i RREZIKOHET jeta: Ka marrë përsipër projekte të madha, i dërgojnë AK47 (DEKLARATA)
Por, pikërisht këtu nis edhe skandali më i madh! Megjithëse bëhej fjalë për një mall me vlerë miliona euro, shishet nuk u transportuan menjëherë për t’u bënë në ruajtje nga shteti. Përkundrazi, vera u la në objekt, praktikisht në duart e Eno Agasit, i cili më pas e zhduku atë gjatë natës duke tentuar që të fshijë çdo gjurmë dhe përmes heqjes së serverit të kamerave të sigurisë.
Për këtë çështje po hetohet jo vetëm zhdukja e koleksionit të verërave, por edhe përgjegjësia e mundshme e strukturave doganore, të cilat kishin detyrimin ligjor të sekuestronin mallin. Prokuroria ka dyshime se kantina dhe koleksioni i verërave mund të jenë përdorur edhe për pastrim parash.
Eno Agasi po kërkohet nga drejtësia, po ashtu edhe kushëriri i tij ndaj të cilit Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg”. Ergys Agasi akuzohet për disa vepra të rënda penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, shkeljen e barazisë në tendera, heqjen e paligjshme të lirisë, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. (NJOFTIMI I SPAK)




