Edi Rama nuk është më lideri i së majtës…
Një sondazh i publikuar së fundi në ABC News dhe i realizuar nga Eduard Zaloshnja nxori një përfundim mjaft interesant.
Edi Rama, i cili, në mungesë të një alternative apo opozite të besueshme, vazhdon të mbajë pushtetin, gjithsesi nuk rezulton të jetë ai “lideri i madh dhe i dashur nga të gjithë”. Përkundrazi, votuesit e majtë, të cilët e kanë mbajtur në pushtet që prej vitit 2013, nuk e konsiderojnë Edi Ramën udhëheqësin më popullor të tyre.
Siç bëhet e ditur në sondazh, një kampion i votuesve të së majtës nxirrte në pah se më pak se 34% e këtij elektorati e konsideron Edi Ramën si liderin më të padiskutueshëm. Rreth 18% e votuesve të majtë ruajnë ende nostalgji dhe respekt për Fatos Nanon, liderin themelues të Partisë Socialiste. Ndërkohë, 8% e këtij elektorati e konsiderojnë Enver Hoxhën figurën kryesore historike të së majtës.
Ky sondazh, në fakt, nuk është aspak i panjohur për Edi Ramën. Ai e ka ditur që në fillim se nuk është lideri i dashur nga të gjithë dhe, nga ana tjetër, as nuk është përpjekur ndonjëherë të bëhet i tillë. Përkundrazi, ai ka synuar të sjellë në Partinë Socialiste ardhje nga rrethina të tjera politike, të cilat i ka përdorur për interesa pushteti.
Por sipas sondazhit del qartë se të gjitha këto ardhje, që Edi Rama i ka sjellë si “bonus politik” për veten që nga viti 2000, kur kandidoi për kryetar të Bashkisë së Tiranës, asnjëherë nuk kanë qenë realisht lojalë ndaj së majtës.
Një pjesë e madhe e këtij segmenti, që është dukshëm klientelist dhe i lidhur me interesa të vogla, nuk voton dhe as ka votuar gjithmonë për Ramën, përkatësisht për Partinë Socialiste. E vetmja shtyllë që e mban atë në pushtet është “armata” prej rreth 800 mijë votuesish, plus-minus, e elektoratit tradicional të së majtës, siç del edhe nga sondazhi.
Kjo armatë, në shumicën e rasteve, voton për Edi Ramën duke “mbyllur hundën”, ndërsa më pas është e para që e kritikon dhe e sulmon pa mëshirë. Kjo mungesë dashurie mes Edi Ramës dhe socialistëve shqiptarë nuk është thjesht mungesë kimie mes liderit dhe bazës.
Ekziston edhe një mungesë vullneti për të gjetur pika afrimi, për të krijuar një mjedis miqësor, ku edhe nëse nuk ka dashuri, të paktën të ketë miqësi dhe marrëdhënie të hapura. Në realitet, Rama nuk i do socialistët, sepse e di që ky popull politik është formuar, në pjesën më të madhe, si një masë që nuk ka lidhje me nëntokën kriminale dhe veset e mëdha që karakterizojnë një pjesë të ashtuquajturës elitë politike.
Sot, Partia Socialiste e Edi Ramës nuk ka më një strukturë udhëheqëse që buron nga tradita e saj. Madje edhe udhëheqësit e rinj që ka sjellë kryetari janë të dërrmuar politikisht dhe penalisht.
E gjithë kjo situatë nuk ka ardhur rastësisht. Ajo është ndërtuar qëllimisht nga Rama për të ruajtur dhe izoluar pushtetin e tij personal dhe të rrethit të tij.
Nëse krahasohet popullariteti i Edi Ramës brenda elektoratit të majtë me atë të Sali Berishës brenda elektoratit të djathtë, del se të dy kanë një pjesë të madhe të bazës që nuk i pëlqen. Padyshim, Berisha e ka hendekun më të madh, madje mazhoritar, por as Edi Rama sot nuk pëlqehet nga më shumë se gjysma e votuesve të tij.
Ky është, në fakt, realiteti më i rëndësishëm politik në vend: ekziston një hapësirë e madhe për lindjen e një klase të re politike. Kjo justifikon edhe shtysën e ndërkombëtarëve për të ndihmuar jo thjesht një rotacion pushteti, por daljen në skenë të një komuniteti të ri politik, të një gjenerate të re, dhe jo rikthimin e dinosaurëve të vjetër./Pamfleti




