Koço Kokëdhima kërkon azil politik në Indi për Edi Ramën? Cili eshte Mesazh i koduar i Kryeministrit ndaj të huajve

Pajtimi i vjetër i dy ish-aleatëve lexohet si sinjal tërheqjeje, borxhesh dhe pazari politik për një dalje të qetë nga skena…

Një ditë pas lajmit për drekën e pajtimit ndërmjet Edi Ramës dhe Koço Kokëdhimës, qarkulluan fotografi të këtij të fundit në Indi, i zbathur, duke kërkuar qetësi shpirtërore.

I njohur si hedonist, nëse i referohemi përcaktimit të avokat Ngjelës se Koço ka armik sapunin dhe briskun, kjo shfaqje duket si një përpjekje për të gjetur një strehë shpirtërore, e cila nuk është e panjohur.

Ateistët evropianë, në pjesën më të madhe ata që vinin nga lëvizjet e majta revolucionare, gjetën te budizmi dhe hinduizmi, pra në vendet e nënkontinentit indian, terrenin e thirrjes shpirtërore. Ky qytetërim ofron një qasje spirituale pa ndalime spartane dhe moraliste, tipike për fetë monoteiste, veçanërisht krishterimin perëndimor, të cilin e majta historikisht e ka parë si kundërshtar që nga Revolucioni Francez.

Koço Kokëdhima, përfaqësues i kastës së vjetër subkomuniste të Komitetit të Rinisë Komuniste, u shndërrua në një nga pionierët e kapitalizmit postkomunist. Siç ndodhi me shumicën e këtij brezi, përfundimi ishte katastrofik. Ai dhe bashkëudhëtarët e tij çuan drejt falimentimit sektorë të tërë të ekonomisë shqiptare, edhe pse përfituan asetet më të mira të pronës publike.

Kur Koço hyri në operacionin që e shndërroi në oligark në vitet 2000, ai ishte njeriu që mbështeste dhe mbështetej nga Edi Rama. Një nga vendimet e para të Ramës si ministër i Kulturës ishte dhënia e gazetës “Sporti Popullor” Kokëdhimës, fierakut nga Qeparoi, i cili nuk kishte pasur asnjë lidhje reale me sportin apo tifozërinë.

Pas fitores së zgjedhjeve të vitit 2013, Edi Rama, përmes një manovre politike të qëllimshme, e shndërroi Koçon në të ashtuquajturin “Pasha i Jugut”, një deputet me ndikim të gjerë territorial. Rama i dha atij hapësirë të përplasej me Gramoz Ruçin, një përplasje që Koço jo vetëm e humbi, por që i kushtoi edhe përjashtimin përfundimtar nga politika aktive.

Para se Rama të jepte miratimin për largimin e Kokëdhimës, në një takim në Qeparo, ai foli me ironi për pleqërinë e tyre të ardhshme, që do ta kalonin në fshatrat e Bregut.

Pajtimi i fundit mes Koços dhe Edit duket si një bashkim interesi për fazën e tretë të jetës së tyre politike dhe personale. Fotografitë e Kokëdhimës nga India lexohen si kode për kërkimin e një azili të qetë pleqërie për dy ish-aleatë.

Ky mesazh duket se synon edhe ndërkombëtarët. Rama sinjalizon se është gati të largohet nga politika, me kusht që presioni ndaj tij të zbutet. Një shpjegim tjetër vështirë se qëndron, sidomos kur sheh Koçon, të mbytur në borxhe, duke shpresuar se hallet do t’ia zgjidhë miku i vjetër./Pamfleti