Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Orikumin sot në 2 janar 2025, ku një burrë dyshohet se ka vrarë ish-bashkëshorten e tij dhe më pas i ka dhënë fund edhe jetës së tij.
Sipas informacioneve, gruaja ishte kthyer së fundmi nga Italia, ku jetonte prej disa vitesh, për të kaluar pushimet në Shqipëri. Edhe pse gruaja ishte e ndarë prej kohësh nga bashkëshorti i saj, dyshohet se mes tyre kanë ekzistuar konflikte të vazhdueshme.
Gazetarja Greta Haskaj raporton për Klan News se autori dyshohet ta ketë mbytur gruan, duke i shkaktuar vdekjen, ndërsa pas kryerjes së krimit, dyshohet se ka vrarë edhe veten. Çifti ishin prindër të dy djemve.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forcat e Policisë së Vlorës dhe grupi hetimor, të cilët kanë rrethuar zonën dhe po kryejnë veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave. Trupat e pajetë janë dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore, ndërsa po merren dëshmi nga familjarë dhe persona të afërt.
Autoritetet po hetojnë pistën e konfliktit familjar si motiv të mundshëm të kësaj ngjarjeje të rëndë. Ngjarjet e rënda brenda familjes mbeten një problem shqetësues në vend.
Policia e Orikumit ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë brenda në familje. Sipas efektivëve, gruaja 40 vjeçe është vrarë nga bashkëshorti i saj, 50-vjeçar.
Pas kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth kësaj banese, në garazh është gjetur dyshohet i vetëvrarë me armë zjarri autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi Ll. Xh.
“Orikum/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 13:30, është marrë njoftim nga urgjenca mjekësore se një shtetase, në Orikum, është gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune në banesë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasja S. Xh., 40 vjeçe, është vrarë nga bashkëshorti i saj, shtetasi Ll. Xh., 50 vjeç.
Pas kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth kësaj banese, në garazh është gjetur dyshohet i vetëvrarë me armë zjarri autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi Ll. Xh.
Arma pistoletë e gjetur në vendngjarje u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, njofton policia.
/tvklan.al



