Dalin detajet, ja pse liderat e Ballkanit reaguan ftohtë ndaj arrestimit të Maduros! Cfare fati po i pret?

Mënyra se si drejtuesit e shteteve në Ballkan reaguan ndaj sulmit amerikan në Venezuelë ka nxjerrë në pah një kontrast në qëndrimet politike mes vendeve të rajonit, por edhe brenda hapësirës shqiptare.

Shqipëria dhe Kosova, dy nga aleatë të zellshëm të Uashingtonit në Evropën Juglindore, u pozicionuan hapur në krah të SHBA, por mënyra dhe niveli i këtij pozicionimi tregojnë dallime domethënëse politike dhe simbolike.

Në Tiranë, reagimi erdhi nga Ministria e Jashtme. Ministrja Elisa Spiropali deklaroi se Shqipëria “qëndron pa mëdyshje përkrah Shteteve të Bashkuara” dhe presidentit Donald Trump në veprimin kundër asaj që ajo e quajti “regjimi narko-terrorist i Venezuelës”. Ajo shtoi gjithashtu mbështetjen për Sekretarin amerikan të Shtetit, duke vlerësuar “udhëheqjen e fortë” të Marco Rubios në “përballjen me autoritarizmin, korrupsionin dhe rrjetet kriminale transnacionale”. Deklarata e qeverisë shqiptare ishte e drejtpërdrejtë dhe pa nuanca, por mbeti e kufizuar në nivel ministror.

Në Kosovë, tabloja ishte ndryshe, pasi reagimi erdhi nga maja e shtetit. Presidentja Vjosa Osmani doli publikisht në mbështetje të operacionit amerikan, duke shkruar se “Kosova qëndron fuqishëm përkrah Shteteve të Bashkuara” dhe Donald Trumpit. Ajo e justifikoi ndërhyrjen duke sjellë madje shembullin e Kosovës dhe duke e quajtur shtet narkotik atë që udhëhiqte deri dje Nikolas Maduro. “Presidenti Trump qëndroi përkrah popullit të Venezuelës dhe u përball me shtetin narkotik të Maduros, duke mbrojtur Amerikën dhe pjesën tjetër të botës nga kartelet dhe krimi i organizuar. Kjo është se si duket forca dhe udhëheqja amerikane”, shkroi Osmani, duke e lidhur këtë qëndrim me historinë e Kosovës “Kosova e kupton ndikimin e vendosmërisë amerikane, çlirimi ynë është vetë një dëshmi e saj” shkroi ajo.

Dallimi mes deklaratave që vijnë nga Tirana dhe atyre që vijnë nga Shqipëria kanë një diferencë që nuk mund të shpërfillet. Në Kosovë, krerët më të lartë të shtetit morën përsipër politikisht mbështetjen për SHBA, kurse në Shqipëri, kryeministri dhe presidenti heshtën.

Reagimi iu delegua një niveli më të ulët hierarkik, Ministrisë së Jashtme, duke krijuar përshtypjen e një qëndrimi institucional të kontrolluar, por politikisht të distancuar nga figura kryesore e pushtetit ekzekutiv, që është kryeministri Edi Rama.

Rreth një muaj më parë, në urimin që Rama dhe Begaj morën për festën e pavarësisë në 28 Nëntor, urimet e presidentit të SHBA Donald Trump dhe sekretarit të shtetit, Marko Rubio tingëllonin si paralajmërime dhe përmbanin një kërkesë të qartë për të luftuar kartelet dhe bandat e trafikut transnacional të drogës.

Mungesa e zërit të Edi Ramës bie në sy edhe për faktin se këtë fundjavë, si rrallëherë, u shmang dalja e tij në podkastin e përjavshëm të titulluar “Flasim”. Jo më kot, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ironizoi heshtjen e kryeministrit Edi Rama kur iu referua podcastit “Flasim”, me këshillën se ai duhet të ndryshojë emrin në “Heshtim”.

Kontrasti mes Kosovës dhe Shqipërisë bëhet edhe më i dukshëm kur shihet panorama rajonale. Disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, njësoj si Rama zgjodhën të jenë më të përmbajtur duke lëshuar mesazhe përmes ministrive të jashtme, ndërsa disa të tjerë e kapën shansin për ta përshëndetur arrestimin e Maduros.

Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan nuk reagoi vetë, por ministria e jashtme bëri thirrje për qetësi dhe stabilitet, duke theksuar rëndësinë e “paqes dhe mirëqenies së popullit të Venezuelës” dhe duke u kërkuar palëve të “tregojnë përmbajtje”.

Krejt i ndryshëm ishte reagimi i Greqisë, fillimisht përmes Ministrisë së Jashtme u fol për monitorim të situatës dhe mbrojtje të komunitetit grek, por më pas kryeministri Kyriakos Mitsotakis shprehu qartë mbështetjen e tij për SHBA. “Nicolas Maduro kryesoi një diktaturë brutale dhe represive që solli vuajtje të paimagjinueshme për popullin venezuelian. Fundi i regjimit të tij ofron shpresë të re për vendin”, shkroi ai.

Serbia reagoi në nivelin më të lartë politik, por në kahun e kundërt. Presidenti Aleksandër Vuçiç e shfrytëzoi rastin për të artikuluar një kritikë të ashpër ndaj rendit ndërkombëtar, duke deklaruar se “e drejta publike ndërkombëtare nuk ekziston, rendi i OKB-së ekziston në letër” dhe se “bota dominohet nga ligji i forcës dhe ligji i më të fortit”. Një qëndrim që përputhet më shumë me atë të Spanjës dhe të disa vendeve të tjera të Amerikës Latine.

Heshtja e Ramës duket një përpjekje për ta shmangur ekspozimin personal përballë një Donald Trump gjithnjë e më të paparashikueshëm në politikën e jashtme.

Herën e fundit që e përmendi emrin e Donald Trump në publik, Rama ishte duke bërë gallatë me presidentin azer, Ilham Aliev dhe atë francez Emanuel Makron për një gafë të Donald Trump që kishte ngatërruar Shqipërinë me Armeninë, ndërsa mburrej për luftrat që kishte mbyllur në pak muaj në Shtëpinë e Bardhë.

Por pa kaluar 24 orë nga kjo shaka e pamenduar gjatë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u detyrua të kërkojë falje për batutat që bëri xhiron e rrjetit X dhe u shndërruan në lajm me miliona klikime në mediat ndërkombëtare./Lapsi.al