Kreu i ri i SPAK miraton strukturën e re: Altin Dumani, Dorina Bejko dhe Vladimir Mara me role kyçe
Kryeprokurori i ri i SPAK, Klodian Braho, ka firmosur strukturën e re drejtuese të Prokurorisë së Posaçme, duke përcaktuar rolet e reja për disa prej prokurorëve më të njohur të institucionit.
Mësohet se prokurori Altin Dumani është emëruar shef i seksionit për marrëdhëniet me jashtë, një sektor kyç për bashkëpunimin ndërkombëtar në hetimet penale. Ky është një ndër postet më të mira që i hap rrugën Dumanit të bëjë udhëtime të shpeshta nëpër botë.
Ndërkohë, prokurorja Dorina Bejko do të drejtojë seksionin për hetimin e korrupsionit, ndërsa prokurori Vladimir Mara është vendosur në krye të seksionit kundër krimit të organizuar.
Më herët, departamenti për marrëdhëniet me jashtë ishte drejtuar nga Dorina Bejko, e cila kishte zëvendësuar Arben Krajën pas përfundimit të mandatit të tij si kryeprokuror i SPAK. Kraja e mbajti këtë detyrë për rreth tre vite, përpara se të rikthehej si prokuror i thjeshtë, pas konflikteve të lidhura me drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Sektori i krimit të organizuar drejtohej deri më tani nga prokurori Adnand Xholi, i cili mbetet në këtë strukturë si prokuror. Vendin e tij e zë Vladimir Mara, i njohur për eksperiencën në drejtimin e skuadrave të përbashkëta hetimore me antimafian italiane.
Klodian Braho, në detyrën e kryeprokurorit të posaçëm, vlerësohet për karrierën e tij të gjatë në hetimin e çështjeve të nivelit të lartë. Ai ka qenë pjesë e disa dosjeve të rëndësishme, përfshirë dënimin e ish-prokurorit të përgjithshëm dhe së fundmi angazhimin në grupin hetimor që vendosi nën akuzë zëvendëskryeministren Belinda Balluku. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.




