Hyrja e Mateos mbrëmë në shtëpinë e “Big Brother VIP Albania” shkaktoi një tërmet të vërtetë, jo vetëm në dinamikat e shtëpisë, por veçanërisht te Brikena. Reagimi i saj i ftohtë dhe refuzues ndaj tij habiti publikun, duke lënë të kuptohet se mes tyre kishte pasur më shumë sesa thjesht një njohje sipërfaqësore.
Për të qartësuar gjithçka dhe për të shuar aludimet e komentuesve, ka reaguar Anaid Kaloti. Fituesi i Big Brother 6, i cili duket se ka dijeni të plotë mbi raportin e dyshes, ka publikuar një sqarim të detajuar në Instagram, duke hedhur dritë mbi “krisjen” e marrëdhënies së tyre jashtë shtëpisë.
Ndryshe nga sa mund të jetë perceptuar, Anaidi zbulon se njohja mes Mateos dhe Brikenës nuk ishte sporadike.
“Mateo dhe Brikena nuk kanë shkëmbyer disa mesazhe, por kanë folur 1 vit bashkë me mesazhe,” shkruan ai, duke konfirmuar se investimi emocional ka qenë i konsiderueshëm nga të dyja palët.
Pika kyçe që duket se ka sjellë ftohjen lidhet me hapat e mëtejshëm të marrëdhënies. Sipas Kalotit, Brikena ka kërkuar zyrtarizimin e gjërave me familjen, gjë që Mateo e ka refuzuar në atë kohë.
“Në një x-moment kur gjërat janë dashur të bëhen prezente, Brikena i ka kërkuar të takohet me familjarët e saj. Mateo nuk ka pranuar pasi ka dashur të njohë njëherë vajzën, pastaj familjen,” sqaron Anaidi.
Anaidi gjithashtu mbron pozicionin e Mateos karshi lojës, duke theksuar se hyrja e tij nuk është bërë ekskluzivisht për Brikenën, por për ambicien e tij personale. Ai shton se ekziston vetëm një foto e shkrepur mes tyre, fakt që e dinë të dyja palët dhe produksioni.
Pavarësisht tensionit, Anaidi i del në mbrojtje edhe Brikenës përballë komenteve negative në rrjet (“komentuesit hirerikë” siç i quan ai), duke e cilësuar atë si “supergocë” dhe duke kërkuar që të mos hidhet baltë mbi vajzat.
Tanimë që të dy janë brenda shtëpisë më të famshme, mbetet për t’u parë nëse ky “sqarim i munguar” për takimin me familjarët do të bëhet para kamerave, apo nëse inati i Brikenës do të vazhdojë ta mbajë distancën. /Prive




