Sa herë që Sali Berisha flet për “bashkimin e opozitës”, fjala tingëllon e madhe, por mbetet bosh nëse nuk shoqërohet me veprime konkrete dhe me sinqeritet. Bashkimi nuk ndërtohet me thirrje emocionale apo me nostalgji politike. Ai kërkon sakrifica reale dhe respekt për parimet bazë të demokracisë. Në këtë pikë, Berisha ka dy prova vendimtare për të dhënë, nëse vërtet synon rrëzimin e Edi Ramës dhe jo thjesht rikthimin e kontrollit mbi opozitën. Ai akuzohet se është bashkëlojtar i sistemit, aleat i Ramës dhe përfitues i kësaj dekade në vendnumëro të politikës shqiptare. Për të vërtetuar se ai nuk është de facto në pushtet, por rival serioz i pushtetit, duhet të kalojë dy prova.
Ndryshimi i sistemit zgjedhor
Ky është testi më i qartë i sinqeritetit. Sistemi aktual zgjedhor është një padrejtësi e hapur, e kuptueshme edhe për një nxënës të shkollës 9-vjeçare. U vulos në vitin 2008 nga marrëveshja e errët Rama-Berisha dhe që prej asaj dite ka shërbyer si dry mbi derën e demokracisë shqiptare. Me këtë sistem, kryetari i partisë është sundimtar absolut brenda forcës politike: ai vendos kush hyn në Kuvend pa bërë fushatë dhe kush digjet në terren për një mandat të pasigurt. Deputeti nuk i detyrohet votuesit, por miratimit të kryetarit.
Ky sistem ka larguar nga politika njerëz me integritet dhe aftësi, sepse pa miqësi, servilizëm apo bindje të verbër ndaj kryetarit, rruga është e mbyllur. Me këtë sistem, Rama fitoi zgjedhjet në vitin 2021 pa marrë 50% të votave dhe, me pothuaj të njëjtin numër votash, më 11 maj siguroi 83 mandate, pra nëntë më shumë. Me këtë sistem, vota e një qytetari në Kukës nuk ka të njëjtën vlerë me votën e një qytetari në Vlorë. Me këtë sistem, 64 mijë vota kombëtare i dhanë Adriatik Lapajt vetëm një mandat, ndërsa Partia Socialiste, me një shifër të përafërt, mori nëntë mandate vetëm në një qark.
Ironia është se për dy vite Berisha akuzoi Lulzim Bashën se kishte “bekuar” këtë sistem me Ramën, por në vitin 2024 bëri të njëjtën gjë: bashkoi votat me kundërshtarin për të mos e ndryshuar. Kjo është prova numër një. Pa garancinë e ndryshimit të sistemit zgjedhor, çdo thirrje për bashkim është thjesht një përpjekje për të mbyllur sërish besnikët në lista të mbyllura. njerëz të cilët kanë vite që nuk zbresin në terren dhe nuk janë të votuar nga qytetarët. Ndryshimi real vjen vetëm me sistem proporcional kombëtar, me lista të hapura dhe koalicione parazgjedhore. Çdo gjë tjetër është riciklim pushteti.
Kandidat përbashkues
Berisha mund të jetë kryetari legjitim i Partisë Demokratike dhe ka argumentin e mbi 550 mijë votave, por nuk mund të jetë kandidati i opozitës për kryeministër. Sot, 81 vjeç, i konsumuar politikisht që nga viti 1991, Berisha nuk mund të shërbejë si figurë bashkuese dhe as si frymëzim për 850 mijë votues, aq sa duhen për rrotacionin politik. Për mijëra shqiptarë, emri i tij mbart ende barrën e rëndë të kujtimeve të dhimbshme: viti i mallkuar 1997, “Gërdeci”, “21 janari”, etj. Me këto hije mbi supe, ai nuk mund të jetë fytyra e ndryshimit.
E njëjta gjë vlen edhe për figura të tjera “të kalbura” në lista të mbyllura, që simbolizojnë më shumë të shkuarën sesa të ardhmen, por vijojnë të jenë pjesë e kupolës drejtuese në PD. Opozita, nëse bashkohet prej vërteti, duhet të ofrojë një emër tjetër për kryeministër. Pra, një figurë të pranuar gjerësisht, brenda ose jashtë PD-së, por që të mos ndajë, të mos rëndojë, të mos rikujtojë plagë të vjetra. Një emër që të ngjallë shpresë, jo bezdisjen e një kasete të vjetër.
Nëse këto dy kushte nuk përmbushen, atëherë thirrja për bashkim mbetet një slogan pa përmbajtje. Kështu, opozita shqiptare do të vazhdojë të sillet në rreth, ndërsa pushteti, i paprekur, do të qeshë në heshtje.
Shënim: Në një kohë kur qeveria shqiptare është në ditët më të vështira të saj, në betejë të hapur me Drejtësinë e Re, Berisha njofton protestën e radhës më 24 janar. Data sot është 7. A mund të merret seriozisht një kryetar opozite, kur i jep kaq shumë kohë kundërshtarit politik?




