Astmer Bilali e Mikel Thani po hanin drekë bashkë dhe papritur nisën të rrheshin

Astmer Bilali dhe Mikel Thani, dy persona të dënuar me burgim dhe aktualisht në qelitë e Burgut të Reçit në Malësinë e Madhe, kanë përfunduar këtë të enjte në spital. Aata janë rrahur me njëri-tjetrin dhe kanë pësuar dëmtime fizike.

Raportohet se dy shkodranët kishin krijuar miqësi në qeli, ama mbetet i paqartë shkaku i konfliktit të dhunshëm, që është shuar vetëm falë ndërhyrjes së të dënuarëve të tjerë dhe gardianëve.

Këtë të enjte, Bilali, Thani dhe shokët e tyre të burgut po hanin drekë së bashku, kur mes dy shkodranëve ka shpërthyer papritur një konflikt që ka degjeneruar në dhunë fizike dhe përdorim të sendeve të forta.

Astmer Bilali është një eksponent i lartë i krimit në kryeqendrën e veriut, pjesë e grupit kriminal Bajri dhe i akuzuar zyrtarisht nga Prokuroria e Posaçme pak ditë më parë si ekzekutor i drejtpërdrejt i Fatbardh Licit, xhaxhai i shtetasit Ibrahim Lici.

Shtatë vite nga vrasja, SPAK ka zbuluar rolet e katër të pandehurve Behar Bajri, Safet Rustemi (Bajri), Astmer Bilali dhe Eria Ago, si dhe dinamikën e ngjarjes, e cila thuhet se është kryer për shkak të konflikteve të vazhdueshme mes fiseve Bajri e Lici, për kontrollin e Shkodrës.

Kurse Mikel Thani qëndron në qeli prej muajit janar të vitit 2015. I riu ishte fejuar atëkohë prej një viti me një vajzë që i përkiste familjes Guri, banuese në lagjen Kiras, në Shkodër. Por kjo fejesë u prish dhe babai i vajzës nuk pranoi që t’ia jepte vajzën Thanit.

Kështu, i riu shkoi tek shtëpia e familjes Guri dhe qëlloi vjehrrën, vjehrrin, dhe mbesën e tyre, 12 vjeç.

Mikel Thani njihet si një i burgosur problematik, pasi në vitin 2020 është futur në izolim me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, sepse ka grushtuar atëkohë një nga gardianët e institucionit.

© Newsbomb.al