Nëna braktis 3 fëmijët/ 3 ditë pa ngrënë e pa pirë! Të mbuluar me batanije nga i ftohti (Sherri me ish-vjehrrën)

Tre fëmijë të mitur janë gjetur të braktisur dhe të kyçur brenda në shtëpi nga nëna e tyre, B. B., 33 vjeçe në qytetin e Durrësit paraditen e sotme. Ka qenë gjyshja e tyre, e cila ka denoncuar në polici ish-nusen e djalit se ka lënë vetëm 3 fëmijët në shtëpi.

Fëmijët janë gjetur të mbuluar me batanije nga i ftohti ndërsa burime për media raportojnë se fëmijët kishin 3 ditë pa ngrënë, në shtëpinë e tyre nuk kishte ujë dhe rreth 1 muaj pa shkuar në shkollë.

E ëma është larguar, por tashmë është gjetur nga policia dhe është shoqëruar për një komisariat për të dhënë shpjegime të mëtejshme për ngjarjen e rëndë. Tashmë fëmijët janë marrë nën kujdesin e organeve përkatëse ndërsa i janë nënshtruar dhe ekzaminimeve mjekësore nga ku kanë rezultuar me probleme shëndetësore për shkak të mosushqyerjes për disa ditë.

“Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetases B. B., 33 vjeçe, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”.

Procedimi penal nisi pasi ditën e sotme, rreth orës 17:20, është paraqitur shtetasja D. V., e cila ka deklaruar se ish-nusja e djalit të saj kishte lënë vetëm tre fëmijët e mitur në pallatin ku banonte, rasti i publikuar dhe në rrjete sociale.

Nga ana e shërbimeve të Policisë, në bashkëpunim me Zyrën e Mbrojtjes së Fëmijëve, u bë e mundur marrja në mbrojtje e tre fëmijëve, të cilët u dërguan në spital për ekzaminime mjekësore dhe më pas u morën në kujdes nga Qendra e Mbrojtjes së Fëmijëve Durrës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Shtëpia është gjetur e shkatërruar me rroba të hedhura kudo. Burimet për media raportojnë se mes nënës së fëmijëve dhe gjyshes nga ana e babait ka pasur një konflikt, pasi kjo e fundit ka dashur të marrë fëmijët.