Çmenduri në Fier! “I bëra motrës së tij një koment në Facebook”,

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Vjosë të Fierit ku 46-vjeçari Altin Meçaj, një emigrant në gjermani ka rënë pre e një sulmi të dhunshëm mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00.

Shkak është bërë një like e një koment që Altin Meçaj i ka bërë në rrjetin social në Facebook, motrës së dhunuesit, Fredi Lamaj. Ky i fundit është pjesë e strukturave policore të Fierit.

Altin Meçaj ndodhet aktualisht i shtruar në urgjencën e Fierit së bashku me të atin e tij, i cili ka të çara në kokë nga goditjet e dhunshme.

Altini sqaron se përpara se të dhunohej në pragun e shtëpisë, ka marrë një mesazh kërcënues nga Fredi Lamaj, me tekst “Nuk e di me kë je mpleksur”, gjatë kohës që ishte në lokalin e fshatit.

Pasi ka ardhur në shtëpi, janë fikur dritat dhe në këtë moment ka dëgjuar ta thërrasin nga jashtë. Kur ka dalë ai është goditur brutalisht deri sa ka rënë pa ndjenja. Sipas tij është hedhur i ati për ta shpëtuar, por edhe atë e kanë goditur.

“Mbrëmë në orën 11 të natës kam qenë te një lokal dhe kam arritur në shtëpi. Kur isha te lokali më erdhi një mesazh kërcënues nga një like në Facebook. Ai është një bashkëfshatar i imi që sot është komandant grupi diçka e tillë me forcat RENEA. Like i bëra motrës së tij në Facebook.

Kur shkova në shtëpi janë fikur dritat vetëm të shtëpisë time dhe jam thirrur në emër për të dalë jashtë. Ai më ka thirrur nga porta e shtëpisë. Mesazhi thonte ‘nuk e di me kë je mpleksur’. Sa dal në derë më qëllojnë direkt dhe më përsërit mesazhin. Ishin të paktën 3 persona. Vetëm atë kam njohur nga zëri. Më kanë rrëzuar për tokë pa ndjenja. Në qoftë për një liken në Facebook apo një koment ka dhe falje, por që të arrijë në këtë fazë që të më bëjnë mua për spital ose babain tim. Si ka mundësi një person i tillë që është komandant grupi e vjen me shokët. Mund të ishim ulur ta kishim sqaruar. Mund të kishim pirë një kafe ta kishim sqaruar. Njihemi kemi pasur marrëdhënie të mira. Nuk ka asnjë tjetër. Fredi Astrit Lamaj e ka emrin.

Më ka thënë të njëjtat gjëra si në mesazh ‘nuk e di me kë je mpleksur’ dhe diçka tjetër që nuk mund ta them. Unë kërkoj që kjo mos të përsëritet dhe dua të drejtën time. Më është shkelur prona. Këtë person e kam dalluar vetëm nga zëri kur kam dalë jashtë. Unë i thashë që motra jote është e madhe nuk është e vogël, mund të më thotë ‘Altin boll se po më bezdis’. Komenti ka qenë ‘je bërë shumë e bukur’, një kompliment”, deklaroi 46-vjeçari Altin Meçaj.

Babai i tij, 76-vjeçari Ylli Meçaj tha se djali i kishte ardhur për pushime dhe se kjo që ndodhi i kishte shokuar të gjithë. Me lot në sy ai kërkon drejtësi dhe siguri për familjarët pas kësaj ngjarje të rëndë.

“Nuk kam pasur asnjëherë ngatërresa në fshat. Djali ka qenë emigrant që në vitin 1997. Djali shkonte çdo darkë të i vëllai në një lokal tek shkolla. Erdhi rreth orës 11:00 të darkës. Në këtë kohë u fikën dritat. Në këtë kohë dëgjoj zëra. Kur u ngrita e pashë djalin të shtrirë pa ndenja fare dhe e godisnin me shqelma nga këmba dhe i kishin hipur mbi trup. Por nuk i pashë sesa persona ishin. I rashë djalit përsipër dhe bërtita. Në këtë kohë më qëllojnë dhe mua u lava në gjak.

Doja të lëvizja djalin nuk e lëvizja dot. Gruaja ulërinte. Erdhi djali i madh duke ulëritur. Sikur mos të kisha dalë unë, djali nuk do të ishte gjallë sot. Nuk njoha asnjë njeri. Kam dëmtime në kokë. Kërkojmë drejtësi se po më shuhet gjithë familja. Janë gjithë njerëzit e shokuar në shtëpi”, tha Ylli Meçaj për “Report Tv”.

Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga policia, ndërsa raportohet se rasti i ka kaluar për hetim Agjencisë për Mbikëqyrjen Policore (AMP), për shkak se i denoncuari është pjesë e strukturave të policisë.