“Taksisti tha ‘o vajzën, o lekët’!” Rrëfimi i Donikës për ish-burrin

Donika e ka nisur jetën martesore në moshën 19-vjeçare dhe nuk ka qenë aspak e lehtë apo e bukur. Në “Ka Një Mesazh Për Ty” vjen një rrëfim rrëqethës dhune e humbjesh. Dy djemtë, tregoi Donika në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, i humbi të porsalindur nga pakujdesia e familjes së ish-burrit.

I pari erdhi në jetë para kohe dhe vdiq pas 5 orësh sepse nuk e çuan në maternitet. I dyti kur ishte 6-muajsh pasi nëna vuante edhe për t’u ushqyer. Ish-burri ishte i varur nga lojërat e fatit, e dhunonte në të gjitha format derisa një ditë Donika vendosi që të pranonte ndihmën e kunatës për t’u kujdesur për një grua të moshuar.

Për të do të ishte puna e saj e parë dhe një arratisje nga ajo jetë, por ish-burri vendosi t’i qepej pas. Zonja e moshuar pranoi, por as në atë shtëpi gjërat nuk ndryshuan. Ai vijonte me të njëjtën sjellje të padurueshme derisa ngjarja e një mbrëmjeje të vonë, e mbushi kupën.

 

Ardit Gjebrea: Si sillej ai me ty kur ishit te shtëpia e zonjës se tashmë ishit në shtëpi të huaj, nuk ishit te shtëpia e tij.

Donika: Shumë herë kanë tentuar djemtë ta nxirrnin jashtë…

Ardit Gjebrea: Cilët djem?

Donika: Djemtë e zonjës sepse vinte i pirë.

Ardit Gjebrea: Për sa kohë vazhduat jetën aty?

Donika: Ngela shtatzënë.

Ardit Gjebrea: Prapë?

Donika: Prapë, me vajzën. Ishte gëzimi më i madh.

Ardit Gjebrea: Është e vetmja vajzë që ke?

Donika: E vetmja vajzë që kam.

Ardit Gjebrea: Ta kesh me jetë!

Donika: Faleminderit! Sot ajo është 17, vazhdoi prapë kalvari i jetës, shkonte, luante bixhoz, vinte, por mua s’më bënte dëm sepse unë kisha çfarë të haja, kisha një shtëpi normale, jetoja një jetë normale.

Ardit Gjebrea: Ti thua “normale”, por…

Donika: Me ato që kisha kaluar.

Ardit Gjebrea: E qartë, të dukej gjë normale ndërkohë që për të ngrënë dhe për të fjetur në një shtëpi është gjëja më minimale që njeriu të ketë për t’u quajtur mbijetesë.

Donika: Por për ato që kisha kaluar, e quaja normale. Vjen një ditë, do të bëja shpenzimet e muajit, djali i plakës që m’i sillte, nuk ishte aty. E çoj për të blerë ushqimet, erdhi në 2 të natës. Lekët i kishte prishur, erdhi me taksi.

Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi?

Donika: Taksisti më kërkoi lekët. I thashë lekët ai që të ka prurë se unë s’kam lekë. “Jo, më ka thënë që i ka gruaja te shtëpia”, më tha taksisti “o vajzën, o lekët.”

Ardit Gjebrea: Si “o vajzën, o lekët?”

Donika: Sepse i kishte thënë “kam një vajzë të vogël.”

Ardit Gjebrea: Edhe?

Donika: I kishte thënë taksistit dhe do të linte peng vajzën, e la peng vajzën në bixhoz. Ishte pika e fundit. Vendosa që të ndahem, të iki. Lashë punën, u ktheva te prindërit e mi.

Ardit Gjebrea: Me vajzën.

Donika: Me vajzën e vogël.

/tvklan.al