Rama i vuri në krah Ballukun/ Nancy Van Horn i prish planet, publikon “mesazhin” që trondit Kryeministrin

E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy Van Horn, ka ndarë një mesazh këtë të hënë për Gjykatën Kushtetuese, gjatë një takimi të zhvilluar me kryetaren e sapoemëruar të këtij institucioni Fiona Papajorgji.

Van Horn ka theksuar se Gjykata Kushtetuese duhet të mbajë përgjegjës ata që shkelin ligjet, duke ruajtur një sistem ligjor të drejtë dhe të parashikueshëm.

“Gjykata Kushtetuese luan një rol të rëndësishëm në garantimin e drejtësisë për qytetarët shqiptarë, duke i mbajtur përgjegjës ata që shkelin ligjet e saj dhe duke ruajtur një sistem ligjor të drejtë dhe të parashikueshëm, në mënyrë që bizneset amerikane të mund të lulëzojnë”,- thuhet në reagim.

Ky mesazh vjen në një kohë kur Gjykata Kushtetuese pritet të japë vendimin për zv/kryeministren Belinda Balluku, e marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera dhe të cilën SPAK kërkon ta arrestojë.

Më 22 janar ora 10:00, Kushtetuesja pritet të marrë vendimin për ankimin e Edi Ramës, i cili kërkon shfuqizimin përfundimtar të vendimit të GJKKO-së, për pezullimin nga detyra të Ballukut.

Në vrazhdën e këtyre zhvillimeve, duket se Van Horn i ka prishur planet Edi Ramës, i cili ditën e sotme e vendosi krah Belinda Ballukut gjatë prezantimit të projektit të kompanisë amerikane CWP për Park eolik në zonën e Tropojës.

Duket se plani, që zyrtarja e pandehur qëndron krah amerikanëve, nuk i eci Edi Ramës, pasi Van Horn mbajti qëndrim të ftohtë dhe nuk e ktheu asnjëherë vështrimin nga zonja që kishte në krahun e saj, Belinda Balluku.

Tashmë, pas mesazhit të saj për Kushtetuesen mbetet për tu parë se cfarë vendimi do të marrë gjykata për numrin dy të qeverisë.