Pas mbylljes së derës në Uashington, dilemës së Kushner për Sazanin dhe skandalit “McGonigal”, Edi Rama “flirton” me kinezët…
Edi Rama vijon të tregojë se nuk i ka aspak mirë punët me amerikanët dhe duket se tani ka filluar të hedhë sytë te armiqtë e Trump.
Pas talljes që i bëri në praninë e Macron, dje Edi Rama vendosi të luajë sërish me zjarrin. Teksa prezantoi një park eolik në Tropojë, Rama u shkeli syrin kinezëve.
“Po mos të ishte Shqipëria kaq e rëndësishme potencialisht, kinezët që janë civilizimi më i vjetër edhe tregtarët më të padiskutueshëm nuk do i kishin vënë syrin dhe nuk do e konsideronin Shqipërinë si ‘pikën e mjaltit’”, u shpreh Babloku. Dhe këtë nuk e tha në një bisedë të mbyllur me investitorë, por në prani të Ngarkuarës me Punë të SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn.
“Duke u bazuar te mençuria mijëravjeçare e Kinës edhe duke u bazuar te eksperienca dhe uria për fitim e Amerikës, ne jemi fiks vendi i duhur, në kohën e duhur për ju edhe për të gjithë të tjerët që duhet të vijnë këtu në këtë treg të vogël, për të kapur tregun e madh që është jashtë kufijve të këtij vendi të vogël”, shtoi ai.
Por kjo është sfidë e hapur ndaj SHBA. Prej muajsh, Ambasada Amerikane në Tiranë ka dhënë mesazhe të qarta për rrezikun që paraqesin investimet nga vende si Kina, veçanërisht në sektorët strategjikë dhe infrastrukturë.
Më 24 nëntor 2025, VanHorn deklaroi: “Një mekanizëm për shqyrtimin e investimeve është një mjet ligjor që u lejon qeverive të shqyrtojnë investimet e huaja për t’u siguruar që ato nuk paraqesin rreziqe për sigurinë kombëtare… Një mjedis i tillë është i drejtë dhe i parashikueshëm për kompanitë amerikane”.
Në nëntor 2024 ajo kishte theksuar sërish: “Të shmangim investimet që nuk janë në përputhje me interesat shqiptare apo që sjellin rreziqe. Bashkohuni me vendet e BE që kanë mekanizma për verifikimin e investimeve.”
Në vend që të ndërtojë këtë linjë të kërkuar nga partnerët strategjikë, Rama vendos ta promovojë Kinën në mënyrë publike, si një fuqi e “uritur për tregti” dhe të vlerësuar si partnere nga “tregtarët më të mençur”.
Kjo sjellje diplomatike nuk vjen në një vakum. Edi Rama nuk ka marrë asnjë urim nga SHBA për fitoren në zgjedhjet e fundit, asnjë vizitë zyrtare në Uashington që nga koha e administratës Trump dhe asnjë ftesë për angazhime bilaterale në nivel të lartë.
Në krahun tjetër, dosja “McGonigal” është ende aktive në SHBA – dhe lidhjet e saj shkojnë drejtpërdrejt te Kina. Në qershor 2017, gjatë një darke me Duçkën, McGonigal i zbuloi hetimet për Komitetin e Fondit të Energjisë së Kinës.
Po ashtu, reagimi vjen në një kohë kur Jared Kushner duket se po tërhiqet nga investimi në Sazan. Procedurat kanë ngecur dhe me shumë gjasë tentativat e Ramës për t’u afruar me dhëndrin e Trump po dështojnë.
Elementi tjetër është se drejtësia po e godet nga të katra anët qeverinë dhe nën rrogoz flitet se mund të jetë dora e SHBA. Madje thuhet se SPAK do shkojë deri te kreu i qeverisë.
Bazuar te gjithçka më sipër, duket se Rama po gjen dalje alternative. Sot u shfaq në Arabi, ku madje shiti si sukses se ishte dekoruar nga Bin Zayed Al Nahyan. Nga ana tjetër, u jep mesazh kinezëve, teksa dërgon në Indi, Koço Kokëdhimën.
Të gjitha këto tregojnë se SHBA-të e kanë futur në cep Bablokun dhe i ka pisk punët, prandaj po hedh sytë gjithëandej. /Pamfleti




