Jani Aliaj u vra sot në burgun famëkeq të Koridhalos në Greqi, duke mbyllur një zinxhir gjakmarrjeje që kishte nisur që në fillim të viteve 2000. Historiku i tij flet për përplasjen e gjatë dhe të dhunshme me Elton Çiçën, konflikt që buron nga një vrasje e ndodhur rreth 25 vite më parë në Greqi.
Në mesin e vitit 2000, në fshatin Zhabakin, Jani Aliaj goditi për vdekje me thikë 20-vjeçarin E. Ballazhiu, nga Tepelena. Viktima ishte shoku i fëmijërisë dhe bashkëmoshatari i Elton Çiçës, i cili, pasi mësoi identitetin e autorit, u betua për hakmarrje. Në atë kohë, Aliaj ishte arrestuar nga autoritetet greke dhe ndodhej në paraburgim.
Rreth tre vite më vonë, edhe Elton Çiça arrestohet në Greqi dhe përfundon në të njëjtin burg, në Koridhalo. Aty ndodh përplasja e parë fizike mes tyre, ku Çiça plagos me thikë Alia gjatë ajrimit.
Pas disa vitesh, Aliaj del me leje nga burgu, por nuk kthehet më dhe shpallet në kërkim, ndërsa më pas lirohet edhe Çiça. Që nga ky moment, konflikti përshkallëzohet në atentate të njëpasnjëshme.
Çiça tentoi ta vriste Alinë në janar 2016 në Tiranë dhe më pas në Gjirokastër, duke e plagosur lehtë, por pa arritur qëllimin. Për asnjë nga këto ngjarje, Aliaj nuk bashkëpunoi me Policinë, duke refuzuar të bënte kallëzim.
Prej këtij momenti, Alia mbërrin në Tiranë, ku kërkon mbështetjen e Renato Milloshit, me të cilin kishte miqësi të hershme, të njohur në Tepelenë. Duke qenë se nuk e njihte mirë Tiranën, Alia ndihmohet vazhdimisht nga Milloshi, deri në vrasjen e Elton Çiçës, në maj 2016.
Sot, pas viteve përplasje, atentatesh dhe heshtjeje, Jani Aliaj u vra brenda burgut të Koridhalos me thikë, nga një i dënuar tjetër grek.

Comments are closed.