Evis nuk do ta pranojë kurrë ikjen e tij. Ajo vazhdon të besojë se i ati do të jetë gjithmonë diku – në një formë a në një tjetër – duke i folur me gjuhën e shenjave sa herë që ajo ka nevojë. Më 17 janar, Roland Trebicka, një prej figurave që i dha aq shumë teatrit shqiptar, do të kishte festuar ditëlindjen.
Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” e përkujtoi përmes një fotografie të postuar në rrjetet sociale. Ishte pothuajse shenja e vetme publike për një aktor që i dha skenës shqiptare disa nga interpretimet më brilante të komedisë. Asnjë shfaqje homazh, asnjë mbrëmje përkujtimore në skenën e Teatrit Kombëtar, ku Trebicka nuk donte të largohej as kur sëmundja e kishte rrënuar fizikisht.
Ky përvjetor tregoi edhe një herë se sa shpejt harrojmë artistët tanë, se si duartrokitjet pushojnë sapo ata nuk janë më. Emri i Roland Trebickës do të mbetet përherë në historinë e teatrit shqiptar, jo vetëm për rolet dhe karakteret e paharrueshme, por sepse ai e çoi komedinë shqiptare në një tjetër nivel.
Në këtë përvjetor, vajza e tij, Evis Trebicka, vjen me një rrëfim intim dhe prekës mbi jetën me të atin.
Kujtimet e para për babain tuaj, ku të çojnë?
Më çojnë në fëmijërinë e hershme, në prehrin e tij, duke dëgjuar përrallën e Hënës që quhej Evis. Shumë vite më pas, ajo Hënë u quajt Pati – bija ime.
Si e kujtoni fëmijërinë në familjen tuaj?
Ishte shumë e bukur. Im atë ishte vëllai i munguar për mua dhe motrën time. Ishte shoku ynë i lojërave dhe shakave pa fund, njeriu më i kujdesshëm dhe më i dhimbsur që kam njohur. Ai nuk e luajti kurrë rolin e babait autoritar. Ishte gjithmonë i pranishëm, kurrë nuk na bëri të kishim frikë prej tij. Ishte mik, këshilltar dhe dëgjues i shkëlqyer. Ishte heroi im.
Kur e kuptove se babai yt nuk ishte si të tjerët, por një artist?
Po, ka dy episode shumë të forta. I pari ishte gjatë provës gjenerale të dramës “Familja e peshkatarit”. Kur personazhi i babait u arrestua në skenë, motra ime filloi të qante me dënesë dhe prova u ndërpre. Episodi tjetër ishte filmi “Koncert në vitin 36”. Unë qaja ndërsa personazhi i tij arrestohej, edhe pse isha ulur në prehrin e vetë babait. Mendoj se aty ai vendosi që për ne të luante vetëm komedi, që të mos na shkaktonte më kurrë “drama”.
E ndiqje shpesh në teatër?
Po, mendoj se nuk kam humbur asnjë premierë të tij.
Sa ka ndikuar ai në atë që jeni sot?
Shumë. Ai e urrente mosmirënjohjen dhe na mësoi të mos ishim kurrë “pjella të mos-it”. Janë dy shtylla mbi të cilat ndërtoi personalitetin tonë. I detyrohem shumë.
A ke ëndërruar ndonjëherë të bëheshe aktore?
Jo. Dhe ai kurrë nuk e imponoi. Madje nuk bëri as përpjekjen më të vogël që të ndërhynte për mua në Fakultetin e Arteve.
Si ishte jeta familjare? Si ishte lidhja e tij me nënën tuaj?
Ai e adhuronte familjen. E dashuroi nënën time që shumë i ri dhe zgjodhi të ikte në duart e saj, i qetë, në paqe. Nuk i pashë kurrë të ndarë. Pas çdo suksesi të tij, ishte gjithmonë ajo. Ne e dinim rolin tonë në periudhat e provave dhe e mirëkuptonim çdo tension.
Si e përballoi sëmundjen? Kishte shpresë?
Mendoja se ishte i pavdekshëm. Kur festonim ditëlindjen e tij më 17 janar, i thosha se ishte Highlander. Diagnozën ia përktheu motra ime. Mua ma tha vetë. Fjalinë e fundit e mbaj mend gjithmonë:
“Në një ditë njerëzore, biri, janë mbledhur të gjitha ditët…”

Comments are closed.