Skip to content

Ishte shembull për mënyrën si e përballoi! Ndahet nga jeta gazetarja e njohur e News 24

Një shpirt i bukur, një njeri me një buzëqeshje dhe forcë që rrallëherë i gjen te dikush tjetër, u largua sot nga kjo botë. Rezarta Reçi, një ndër gazetaret që i dha vlerë, zë dhe jetë gazetarisë shqiptare, nuk arriti të triumfonte në betejën e gjatë dhe të stërmundimtë me sëmundjen e rëndë.

Lajmi i kobshëm erdhi pasditen e kësaj të diele shkurti nga familjarët e saj, të cilët me zemrën e thyer bënë njoftimin që askush nuk do të donte kurrë ta bënte,  Rezarta e tyre ndërroi jetë sot.

“Rrezarta jone u shua ne paqe mes njerezve te zemres dashurise, respektit e perkushtimit te miqve, te afermve e mjekeve qe i qendruan prane ne te gjithe sfiden e saj te viteve te fundit.

Pritja do te behet prane Agjencise  Funerale “Univers”, rruga “Bardhyl”, nga sonte ora 20:30 deri ne percjelljen per ne banesen e fundit, neser me date 2 Shkurt 2026, ora 15:00 Me respekt Familja  Reçi”, thuhet në njoftimin e bërë nga familjarët e Rezartës.

Prej vitesh ajo po luftonte me kancerin. Betejën e saj e tregoi dhe para mijëra shqiptarëve, ku ajo guxoi që ta ndante këtë “luftë” me sëmundjen.

“Nuk doja të jetoja, nuk e konceptoja dot veten të sëmurë, me kimioterapi dhe në shtrat”, kishte treguar ajo, duke shtuar se ishte bashkëshorti i saj ai që e bindi të luftonte. “Mbaja derën hapur vajzës dhe mbesave… ‘po ike ti, do të iki dhe unë me ty’”, ishin fjalët që e bënë Rezartën të reflektonte dhe të niste betejën.

Me forcë dhe vullnet, ajo u rikthye edhe në radio, një dashuri që nuk e braktisi kurrë. Përmes zërit të saj, Rezarta përcolli mesazhe të forta sensibilizuese për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit, duke u bërë shembull për shumë gra dhe vajza shqiptare.

“Si gazetare kam luftuar për diagnostikimin e hershëm. Si Rezartë, u dorëzova… por dashuria e familjes, miqve dhe përkushtimi i mjekëve më rikthyen në jetë”, kishte thënë ajo, duke falënderuar stafin e Spitalit Onkologjik dhe veten që zgjodhi të mos dorëzohej.

Por, fatkeqësisht ajo nuk arriti që ta mundte këtë “përbindësh”. Pavarësisht përpjekjeve, ndihmës së mjekëve, forcës që familjarët dhe miqtë e saj të shumtë i dhanë, Rezarta u shua përgjithmonë!

Gazetarja që nuk u pajtua me sipërfaqen dhe e jetoi mendimin si lëvizje..

U shua Rezarta Reçi, dhe me të u shua një zë i rrallë i gazetarisë shqiptare, një zë që nuk i frikësohej thellësisë.

Rezarta nuk e trajtoi gazetarinë si profesion karriere, por si mënyrë të jetuari. Ajo kërkonte të kuptonte përpara se të gjykonte, të shpjegonte përpara se të akuzonte, të ndriçonte përpara se të bindte. Në një kohë ku opinioni shpesh zëvendëson analizën, Rezarta këmbënguli te fjalia e menduar, te pyetja e saktë dhe te reflektimi që nuk kërkon duartrokitje.

Shkrimet e saj nuk vinin nga nevoja për të qenë e pranishme, por nga nevoja për të qenë e ndershme me veten dhe me lexuesin. Ajo nuk shkruante për të mbyllur tema, por për t’i hapur ato. Nuk prodhonte përgjigje të gatshme, por krijonte hapësirë për mendim. Ky ishte guximi i saj i vërtetë.

Rezarta ishte gazetare e ndjeshme, por jo sentimentale; kritike, por jo cinike; e thellë, por jo e largët. Ajo e kuptonte se fjala ka peshë dhe përgjegjësi. Dhe pikërisht për këtë, nuk e përdori kurrë si armë.

Në një nga shkrimet e saj më të ndjera, ajo shkruante për dëshirën për të ikur e re nga kjo jetë, jo si dorëzim, por si vetëdije për përkohshmërinë. Ishte një reflektim i dhimbshëm dhe i bukur njëkohësisht, një përballje e qetë me fundin, e rrallë për një shoqëri që shmang të flasë për të vërtetat e mëdha.

Rezarta e jetoi mendimin si lëvizje. Nuk u ngul në pozicione të ngrira. Nuk u bë pjesë e kasteve, klaneve apo narrativave të gatshme. Ajo ishte gjithmonë në kërkim, dhe ky kërkim e bënte të lirë.

Largimi i saj i parakohshëm është një humbje e madhe për gazetarinë, por edhe për hapësirën publike shqiptare, që ka gjithnjë e më pak zëra që dinë të heshtin, të mendojnë dhe të flasin vetëm kur fjala është e nevojshme.

Rezarta Reçi nuk la pas thjesht artikuj. Ajo la një mënyrë të të menduarit. Dhe kjo është trashëgimi e rrallë.

U prehtë në paqe.

Dhe fjala e saj mbettë në lëvizje./Pamfleti

Published inBank

Comments are closed.