Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, mori pjesë mbrëmjen e sotme në protestën kombëtare të Adriatik Lapajt, e katërta që organizohet para Kryeministrisë në Tiranë nga Lëvizja “Shqipëria Bëhet”.
Adriatik Lapaj, që po qëndron pandërprerë në shesh prej afro 2 muajsh, kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe vendosjen e një qeverie tranzitore deri në zgjedhjet e ardhshme.
Para nisjes së protestës, Lapaj theksoi se vendi ka nevojë për një bashkim të madh qytetar dhe opozitar, jashtë ndikimit të kryetarëve të partive politike:
“Duhet reformim total i sistemit elektoral, që i ka falur Edi Ramës pushtetin në tavolinë. Kërkojmë nga i gjithë spektri opozitar të distancohet totalisht nga marrëveshja e fundit për Kodin Zgjedhor. Duhet një Kod i ri që e bën votën të vlejë njësoj në të gjithë vendin”, tha ai.
Lapaj shtoi se bashkimi popullor duhet të jetë mbi flamujt e partive dhe interesat e liderëve, duke u fokusuar tek qytetarët dhe nevoja e menjëhershme për ndryshim: “Ne nuk bëjmë marrëveshje me Sali Berishën. Synojmë një bashkim qytetar për të hequr Edi Ramën sot. Askush nuk mund të mbajë peng popullin. Bashkimi qytetar duhet të jetë për nevojën që është tashmë.”
Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri u shpreh nga protesta e “Shqipëria Bëhet” se ndasitë tona janë shumë herë më të vogla se gjëja e përbashkët që kërkojmë, largimin e Edi Ramës.
Xhaferri tha se Berisha konfirmoi se nëse kemi dëshirë, mund t’i bashkohemi protestës.
“Patjetër që zoti Sali Berisha konfirmoi që ne, nëse kemi dëshirë, mund t’i bashkohemi protestës. Në këtë fazë ku ne jemi, në një fazë primitive të bashkimit, është një fazë ku ne duhet të kemi kushtet e qarta të bashkimit, që kërkohet qeveria tranzitore, që kërkohet një reformë e re elektorale që ndihmon të gjithë spektrin opozitar, kërkon një Reformë Territoriale. Patjetër që kjo mjafton për të na bashkuar në këtë gjë. Nuk do të thotë se është një koalicion politik, as një koalicion zgjedhor, as programet tona kryqëzohen apo mendimet tona janë të njëjta, por e sigurt që dasitë tona janë shumë herë më të vogla se gjëja e përbashkët që kërkojmë, largimin e Edi Ramës”, tha Xhaferri.
“Unë jam i bindur që ne duhet të zaptojmë këtë bulevard, të gjithë forcat opozitare, të gjithë organizatat qytetare, të gjithë kërkesat që kjo situatë duhet të ndalojë së qëni, se kjo qeveri s’ka më legjitimitet, ky bulevard patjetër që nuk duhet liruar deri në largimin e Edi Ramës. Se si do bëhet nga ana logjistike, patjetër ajo i përket kohës. Unë mendoj se çdo regjim është rrëzuar deri më sot. Pra, Edi Rama nuk është i vaksinuar nga një mundësi rrëzimi. E vetmja gjë është që duhet me patjetër të bashkojmë forcat, të jemi të qartë në gjërat që kërkojmë. Si faktori kombëtar, si faktori ndërkombëtar duke u bashkuar në një pikë presioni të dy krahëve”, shtoi më tej Xhaferri për A2CNN.

Comments are closed.