Bashkia e Rrogozhinës do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi këtë të hënë Gjyklata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me burg për kryebashkiakun socialist Edison Memolla. Ai është shpallur fajtor për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim.
Togat e zeza kanë lënë në fuqi vendimin për dënimin me 1 vit burg, dhënë më parë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, dhe në kushtet kur vendimi ka marrë sot formë të prerë, Policia e Shtetit është urdhëruar të arrestojë Edison Momollën.
Kryebashkiaku socialist nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit, pasi ka zgjedhur të përfaqësohet nga avokati i tij mbrojtës.
Dy vjet nga zgjedhjet lokale të vitit 2023, Bashkia e Rrogozhinës do u drejtohet sërish kutive të votimit. Me shpalljen e vendimit të Gjykatës së Posaçme, pritet që të shpallet dhe vakanca nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e më pas Presidenti i Republikës të dalë me dekret për zgjedhjet e parakohshme.
Procedimi penal është regjistruar më shumë se një vit më parë, pas transmetimit në rrjetet televizive të një regjistrimi audio, ku Edison Memolla, atëkohë kandidat për Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, ndikon tek elektriçisti Blerim Xhamani për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022.
Nga tërësia e veprimeve, SPAK arriti të provonte se Edison Memolla ndikoi tek elektriçisti Blerim Xhamani për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij, si dhe komunikonte për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të votës.
© Newsbomb.al.

Comments are closed.