Avokati Ledio Braho thotë se SPAK mund ta arrestojë në flagrancë Belinda Ballukun nëse nga hetimet që po kryhen rëndohet pozita e saj.
I ftuar në emisionin “Studio 24” në News24, avokati u shpreh se shtyrja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit për të shqyrtuar imunitetin e Ballukut ishte një veprim politik i maxhorancës dhe kjo u reflektua edhe nga qëndrimi i kryeministrit Edi Rama sot, i cili tha se nuk kanë urgjencë për kërkesën e SPAK.
Sipas tij, Kushtetuta e parashikon që organi i akuzës të veprojë pa miratimin e Kuvendit kundër Ballukut dhe ta arrestojë nëse asaj i rëndohen pozitat nga hetimet që po kryhen dhe dalin në pah prova të tjera që lidhen me vepra të tjera penale, përveç asaj që tashmë është zyrtarisht e pandehur për shkelje të barazisë në tendera. Ai tha se nëse do të jetë në këto kushte, SPAK, pas arrestit, mund të kërkojë më pas në Kuvend autorizimin.
“Ajo është vendimmarrje politike e maxhorancës për të mos e mbledhur Këshillin e Mandateve deri në vendimin e Kushtetueses. Vendimmarrja ishte politike dhe u duk edhe sot kur kryeministri tha se nuk kemi ngut se SPAK e mori atë që deshte dhe zëvendës kryeministrja u pezullua nga detyra. Këshilli i Mandateve ka funksion, që të këqyrë nëse ka prapavijë politike në çështjen e Ballukut në SPAK. Ajo që është e detyrë e deputetëve është që të marrë vendim dhe të mos kalojë afati 3 mujor dhe që kërkesa të mos konsiderohet e rrëzuar. Nëse kalon afati tre mujor konsiderohet e rrëzuar.
Nëse do të dalin prova të tjera, mund ta arrestojnë në flagrancë dhe të kërkojnë autorizimin pas arrestimit sepse e ka parashikuar Kushtetuta, që në momentin e flagrancës mund të kryhet arresti. Nëse jemi në këto kushte nuk di të them se varet nga ajo që është në hetim. Për këtë që ka përfunduar hetimet dhe është marrë e pandehur, aty nuk ka prova të reja por mund të ndodhë që është një dosje tjetër në hetim, dhe për atë mund të konsiderohet në kushtet e flagrancës. Mund të jetë rasti kur intimidohen personat që kanë dijeni për veprën penale.
Pra, nuk i dihet se si mund të jetë ecuria e hetimit. Nëse do jemi në këto kushte, SPAK mund ta arrestojë në flagrancë dhe më pas t’i kërkohet autorizim kuvendit, dhe do të jetë në kushtet që do të vihet para një përgjegjësie edhe më të fortë.”, u shpreh Braho.
Çfarë hapash ligjorë mund të ndërmarrë kryeministri me paralajmërimin që ai bëri sot? Avokati tha se së pari mund të jetë vendimmarrja nga Këshilli i Mandateve.
Së dyti, ai përmendi ndryshimet në Kodin e Porcedurës Penale, por që nuk kanë efekte prapavepruese dhe për rrjedhojë nuk do të ndikonin aspak në çështjen e Ballukut. Këto ndryshime do të ndikonin në hapat që mund të bëjë SPAK në të ardhmen kundër ndonjë anëtari tjetër qeverie.
“E para është vendimmarrja e Këshillit të Mandateve. Rasti tjetër është ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale, por nuk ka fuqi prapavepruese dhe nuk e prek çështjen Balluku por do të jetë një artificë ligjore që mund të shërbejë për të ardhmen që do të pamundësojë të drejtën e SPAK për të kërkuar pezullimin e një ministri apo kryeministri. Sa i përket reformës në drejtësi aty ka shumë ligje e artifica që mund të përdoren për të kapur institucionet e ndryshme të drejtësisë.”, shtoi avokati.

Comments are closed.