Pak kohë më parë, për disa javë me radhë, kemi sjellë në vëmendjen e publikut masakrën mjedisore që po ndodh në periferitë e Tiranës. Dherat dhe inertet e nxjerra nga gropat e kullave të reja që ndërtohen në kryeqytet kanë destinacion final shtretërit e lumenjve dhe zonat e gjelbëruara të kurorës së kryeqytetit, duke shkaktuar dëme të pariparueshme në mjedis dhe në tokat bujqësore, të cilat kanë humbur rolin e tyre duke u shndërruar në landfille ilegale…
Lumi i Tiranës, lumi Erzen apo liqeni i Kasharit janë tkurrur për shkak të zënies së tyre me mbetjet që dalin nga ndërtimet e reja, që gjithashtu kanë shkatërruar florën dhe faunën.
Ndërkohë institucionet shtetërore, në rastin më të mirë vazhdojnë të mbyllin sytë përpara kësaj paligjshmërie, ose në rastin më të keq janë palë me shkelësit e ligjit. Për këtë situatë, muaj më parë tentuam disa herë të merrnim një përgjigje nga Kryetarja e Komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani.
E ndërsa mendonim se kjo paligjshmëri do të merrte fund një ditë… u gabuam, pasi babëzisë nuk do t’i shpëtonte as zona e Bërzhitës, aty ku mes gjelbërimit shtrihet lumi Erzen, i cili tashmë, ashtu si dhe në pjesë të tjera të gjatësisë së tij, është zënë nga dherat dhe inertet…
Grumbujt e tëra inertes janë kthyer në një mal paligjshmërie ku kamionët që vijnë dhe ikin shkarkojnë mbetjet, duke shkatërruar shtratin e lumit, i cili është ngushtuar. Por kush qëndron pas shkatërrimit që po i bëhet lumit Erzen dhe mbushjes së tij me dhera dhe inerte?!
Vetë mjeku i njohur popullor, Ylli Merja, i cili po ndërton në zonën e Bërzhitës kompaninë e tij të përpunimit të bimëve medicinale. Dhe me sa duket, për të mos shpenzuar shumë me transportin, ka gjetur rrugën më të shkurtër: hedhjen e inerteve në lumë… Ndërsa kompania kontraktore, e cila do të merrej me largimin e inerteve të dala nga ndërtimi, është në pronësi të kunatit të tij.
Përballë nesh, mjeku i njohur popullor, i cili në këtë rast po dëmton mjedisin, shfaq probleme me memorien, dhe sa më shumë mendohet të japë përgjigje pyetjeve, aq më lëmsh bëhet, duke thënë njëherë që inertet e dala nga kompania e tij shkojnë në landfill, e pastaj mbase janë hedhur në lumin Erzen.
Ky i fundit, në atë segment, ka devijuar rrjedhën, ndërsa alarmi që ngrihet pas shirave për shkak të kontaminimit të ujit është i lartë, dhe këtë zoti Merja duhet ta dijë mirë, për shkak edhe të profesionit të tij. Tashmë është detyrë e institucioneve shtetërore që të marrin masa për atë që po ndodh në Bërzhitë, ku pasojat e “zhvillimit” i vuan lumi Erzen, i cili pak nga pak është kthyer në një landfill dherash dhe inertesh…
© SYRI.net

Comments are closed.