Ajo që dukej si tabloja e një familjeje perfekte, mesa duket prej disa kohësh po has në probleme.
E kemi fjalën pikërisht për familjen e Mark Frrokut dhe Rudina Dembacajt.
Dyshja, e cila janë bashkë prej disa vitesh, kanë folur edhe publikisht për sfidat që kanë pasur në krijimin e familjes së tyre.
Por më pas, aktorja jo vetëm që ka zbuluar se gjithçka po shkonte mirë, por nuk mungonin as deklaratat se fëmijët e bashkëshortit të saj janë edhe të vetët.
Deklarata këto që për herë të parë janë hedhur poshtë nga vajza e madhe e familjes.
Mara shprehet se Rudina po i largon nga babai i tyre. Me tone të ashpra ajo deklaroi se deklaratat në media nuk provojnë prindërimin.
E në fakt që në nisje të historisë së Rudinës dhe Markut, Mara ka qenë kundra, duke preferuar që të jetë disi më e distancuar si nga bashkëshortja e re e babait, ashtu edhe nga daljet publike me të. E pas disa vitesh që raporti i tyre ka qenë thuajse i ngrirë, tashmë është Mara, ajo që ka vendosur të flasë publikisht, duke treguar anën e saj të historisë.
“Prindërimi nuk provohet me deklarata, por me sjellje. Nuk është humane të thuash ‘janë të mitë’ dhe njëkohësisht të ndash fëmijët nga i vetmi prind që kanë apo nga shtëpia e tyre. Familja mbahet me prani dhe përfshirje, jo me kontroll. Sot mjafton të veshësh petkun e familjes për kamera dhe të quhesh i madh; roje porte në shtëpi, protagonist në media”, është shprehur Mara.
Teksa vlen të theksohet se në fund të deklaratës së saj, ajo ka zgjedhur që të “firmosë” me emrin Mara Hanvera Froku, duke vendosur emrin e nënës së saj dhe jo të babait.
Një detaj ky që nuk ka kaluar pa u vënë re dhe që tregon qartë marrëdhënien e “ftohtë” mes tyre dhe shkak sipas Marës është bërë pikërisht aktorja Rudina Dembacaj.
Mara, Erta dhe Nardi janë tre fëmijët e ish-deputetit socialist, Mark Frroku.
Vetë Rudina Dembacaj, e cila po ashtu ka një vajzë nga martesa e saj e parë, Viktorian, shpeshherë ka ndarë në rrjetet sociale momente krah fëmijëve të bashkëshortit të saj, madje ka pohuar se sillet me ta dhe i sheh sikur të ishin të vetët.
“Sot që flasim unë nuk e imagjinoj dot jetën time pa ta, në mënyrë absolute. Edhe kur kanë probleme, problemet e moshës, unë përpiqem të jem personi që vihet në pozicionin e tyre. Bëhem shumë më pak qortuese dhe mundohem të jap shembullin tim. Unë ata fëmijë i dua”, deklaronte e përlotur vetë Dembacaj në shtator të 2023 në një intervistë të dhënë.
Por që në nisje të këtij raporti, marrëdhënia e saj me Marën nuk ka qenë e lehtë, pasi kjo e fundit nuk e ka pranuar lehtë këtë lidhje.
Ndonëse larg Shqipërisë, vajza e ish-deputetit mesa duket ka zgjedhur që të mos ketë afërsi me njerkën e saj, por të jetë disi më e distancuar.
Me kalimin e viteve, duket se mes tyre raporti jo vetëm që nuk është sistemuar, por agravuar edhe më shumë, duke sjellë këto deklarata publike.
Deri më tani, Rudina ka zgjedhur që të mos reagojë, duke preferuar që të mos vijojë këtë debat virtual./Panorama

Comments are closed.