G-Bani ka reaguar publikisht pasi ka përfunduar në spital, duke ndarë me ndjekësit një episod që, sipas tij, përbën neglizhencë nga shërbimi shëndetësor.
Sipas deklaratës së artistit, ngjarja ka ndodhur të premten, më 13 shkurt, rreth orës 15:07, kur ai pretendon se ka telefonuar urgjencën për të kërkuar ndihmë mjekësore në banesë. Ai shprehet se kërkesa për dërgimin e ambulancës i është refuzuar nga një mjeke, të cilën e identifikon si “Mjekja 65”.
Sipas G-Banit, gjatë telefonatës ai është udhëzuar që të masë vetë parametrat shëndetësorë.
Ai rrëfen se i ka sqaruar mjekes se nuk dispononte pajisjet e nevojshme dhe as nuk ishte në gjendje fizike për ta bërë këtë, ndërsa pretendon se është paralajmëruar se mbajtja e aparatit për matjen e tensionit është e detyrueshme.
Artisti thekson se, duke e konsideruar situatën si mungesë ndihme në një moment të vështirë, ka ndërprerë komunikimin dhe ka kontaktuar menaxherin e tij, i cili e ka transportuar privatisht drejt urgjencës së spitalit.
Ai shprehet se ka ndjerë shqetësim të thellë për faktin që, sipas tij, iu mohua shërbimi i ambulancës në një moment kur kishte realisht nevojë për asistencë mjekësore.
Artisti bën me dije se ka etiketuar Ministren e Shëndetësisë në komunikimin e tij online për të kërkuar sqarim publik mbi rastin.
“E kam etiketuar Ministren për të pyetur nëse kjo është normale. Dua të di nëse kështu funksionon sistemi.”
Ai pranon se në një postim tjetër ka përdorur gjuhë të papërshtatshme, por sqaron se zemërimi i tij ka qenë i drejtuar ndaj sistemit dhe jo individëve në mënyrë personale.
“Në një postim tjetër kam përdorur gjuhë të papërshtatshme, por kritikat e mia i drejtohen shtetit si institucion.”
Në fund, G-Bani ndau edhe një pjesë nga historia e tij personale, duke treguar se problemet shëndetësore e kanë shoqëruar që në fëmijëri dhe se është detyruar të largohet nga Shqipëria për shkak të mungesës së infrastrukturës së duhur mjekësore.
“Kam pasur probleme shëndetësore që në fëmijëri dhe jam larguar nga Shqipëria për shkak të mungesës së infrastrukturës për trajtimin tim.”
Deri në këto momente, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga autoritetet shëndetësore lidhur me pretendimet e artistit.

Comments are closed.