Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Now me Erla Mëhillin”, gazetarja shqiptare në SHBA, Klementina Cenkollari, solli detaje nga mbledhja e parë e Bordit të Paqes në Washington, ku ishin të pranishëm edhe kryeministri Edi Rama dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo theksoi se çështja e kontributit me trupa shqiptare në Gaza ka qenë një nga temat më të diskutuara, duke marrë vëmendje të gjerë edhe në mediat amerikane.
“Sa i përket trupave në Gaza, Shqipëria dhe Kosova do të kontribuojnë mes pesë vendeve të tjera, si Indonezia, Maroku dhe Kazakistani. Kam komunikuar me zyrën e kryeministrit Rama për numrin e trupave, por më është konfirmuar se ende nuk ka një shifër dhe as një afat të përcaktuar. Shqipëria do të kontribuojë për garantimin e sigurisë dhe rendit, duke marrë një rol aktiv në arkitekturën e re të paqes”, tha ajo.
Sipas Cenkollarit, pothuajse të gjitha mediat në SHBA kanë raportuar në mënyrë të njëzëshme tre elemente kryesore: mbështetjen financiare të nismës, pikëpyetjet nëse Bordi i Paqes do të përbëjë sfidë apo do ta lërë në hije Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si dhe çështjen e Iranit, pas vendimit të presidentit Donald Trump për t’i vendosur një afat 10-ditor Teheranit për një marrëveshje mbi programin bërthamor, në të kundërt me rrezikun e veprimit ushtarak.
Gazetarja ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi koordinimin mes Shqipërisë dhe Kosovës për mesazhin e drejtpërdrejtë të kryeministrit Rama gjatë fjalimit të tij, si në përmbajtje ashtu edhe në ton.
“Sa i përket fjalimit, pyetja që shtrohet është nëse Shqipëria ka qenë e koordinuar me Kosovën për mesazhin e drejtpërdrejtë që dha zoti Rama. Mua më bëri përshtypje përdorimi i termave ‘inshallah’ dhe ‘për hir të Zotit’, dy herë radhazi. Ndoshta e kam gabim, por nuk mund të mos i lidhja këto me faktin se në muajt e fundit feja ka marrë më shumë vëmendje në administratën amerikane”, tha gazetarja.

Comments are closed.