Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e së premtes në rrugën “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë, ku një 31-vjeçar ka humbur jetën pas një konflikti me armë të ftohtë.
Viktima, Egli Pashollari, dyshohet se është sulmuar me thikë nga Gazmend Buçpap.
Sipas dëshmive paraprake, përplasja ka nisur pas pretendimeve për ngacmime që i riu i kishte bërë gruas së autorit, e cila punon si shitëse në një market pranë vendit ku ndodhi ngjarja.
Këtë pretendim e ka konfirmuar në polici dhe gruaja e tij dhe prindërit.
Pas sulmit, autorët janë larguar fillimisht me automjetin e Buçpapës dhe më pas kanë marrë një taksi për t’u drejtuar drejt banesës së tyre në zonën e Sharrës. Policia bën me dije se Gazmend Buçpapa është shpallur në kërkim, ndërsa bashkëshortja e tij dhe prindërit janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje. Ata kanë konfirmuar konfliktin e mëparshëm mes palëve.
I plagosuri është transportuar me urgjencë drejt spitalit nga disa dëshmitarë, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra. Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:40 gjatë një përleshjeje, ku goditja me mjet prerës rezultoi fatale.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Comments are closed.