Operacioni i kërkimit për gjetjen e Ilir Kurtit në Kanionet e Osumit, rrezikon të prodhojë një tjetër tragjedi. Newsbomb.al raporton ekskluzivisht se kërkimet e RENEAS kanë dështuar dhe në kanione ka mbetur i bllokuar një qytetar tjetër.
Ekipi i specializuar që është nisur nga Tirana për të gjetur trupin e 42 vjeçarit, i cili dje vendosi të vetëflijohej duke u hedhur në Kanionet e Osumit, ka dështuar në kërkimet e tij.
Mirëpo, sikur të mos mjaftonte kjo, drejtuesit e operacionit kanë shkuar drejt një fataliteti tjetër; kanë kërkuar ndihmë dhe kanë aktivizuar një grup sportistësh amatorë të rafting.
Murat Mamurrani, i njohur në zonë si drejtues i një grupi të pacertifikuar sportistësh të rafting, u është bashkuar kërkimeve duke shkelur të gjitha protokollet e sigurisë, dhe me bekimin e drejtuesve të operacionit policor.
Newsbomb.al mëson ekskluzivisht se mosrespektimi i këtyre standardeve ka bërë që gomonia e drejtuar nga Murat Mamurrani të përmbyset në rrjedhën e fortë të kanioneve, nisur dhe nga rrjedha e rrëmbyeshme për shkak të reshjeve, duke shkaktuar rënien e gjithë grupit në ujë.
Për pasojë, një anëtar i këtij grupi, shtetasi Xhuliano Kaloti është marrë nga rrjedha e fortë e ujit dhe është bllokuar në kanion, në vendin e njohur si “Porta e Djallit”.
Ai ka ngecuar në një guvë të brendshme prej orës 15:00 të pasdites se kësaj të shtune dhe askush nuk mund t’i shkojë në ndihmë.
Edhe ekipi i specializuar i RENEAS nga Tirana ka dështuar të nxjerrë Xhulianon nga thellësia e kanionit, pavarësisht se dëgjon nga brenda tij thirrje për ndihmë.
Newsbomb.al raporton ekskluzivisht se niveli i ujit ne vendin ku është bllokuar zhytësi amator Xhuliano Kaloti i kalon 5-6 metra duke u shndërruar në një rrezik fatal.
Fatmirësisht, ai është në gjendje të mirë shëndetësore dhe herë pas here thërret për ndihmë, por askush nga ekipi i specializuar nuk guxon të futet për t’i dhënë ndihmë.
Është e pakuptueshme se përse hezitojnë edhe polumbarët e Forcave Speciale, të cilët kanë mjetet e nevojshme, por po lejojnë orët të kalojnë ndërkohë që niveli i ujit vetëm rritet.
Kanë kaluar tashmë 5 orë qëlur Xhuliano Kaloti ka mbetur i bllokuar në thellësinë e “Portës se Djallit” dhe drejtuesit e operacionit dëgjojnë prej tij thirrjet e pashpresa për ndihmë, ndërsa ankthi për rënien e natës e bëjnë edhe më dramatike situatën.
Familjarë të zhytësit dhe banorë te qytetit të Skraparit presin mes frikës dhe territ të mbrëmjes për një vendim të guximshëm dhe profesional për të shpëtuar Xhulianon, sepse agimi i nesër mund të rezultojë fatal.

Comments are closed.