Ish-zëvendëskryeministri i parë i Republika e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi është arrestuar mëngjesin e sotëm pranë pikës kufitare Bllacë me Kosovën, raporton Alsat.
Sipas policisë, Grubi u paraqit në hyrje të vendit rreth orës 06:10 dhe u privua menjëherë nga liria. Ai është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejshme, ndërsa autoritetet nuk dhanë detaje shtesë mbi fazën aktuale të procedimit penal.
“Më 23.02.2026 në ora 06:10 minuta në hyrje të republikës së Maqedonisë së Veriut në vendkalimin kufitarë Bllacë u paraqit Artan Grubi, i lindur më 07.06.1977 me masën “Arresto”. Personi në fjalë është privuar nga liria për veprime të mëtutjeshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Ai është i përfshirë në një hetim që lidhet me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik, në kuadër të rastit që ka të bëjë me funksionimin dhe kontratat e Lotaria Shtetërore e Maqedonisë së Veriut.

Sipas organeve të ndjekjes, hetimet kanë të bëjnë me vendime dhe kontrata që dyshohet se kanë shkaktuar dëme financiare të konsiderueshme në buxhetin e institucionit, që përllogariten në 500 milionë denarë apo mbi 8 milionë euro. Prokuroria pretendon se përmes procedurave të kontestuara janë favorizuar subjekte të caktuara ekonomike.
Ish-zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, u arrestua mëngjesin e sotëm në pikën kufitare Bllacë, ku ndaj tij prej dhjetorit të vitit të kaluar ishte lëshuar masa e sigurisë “arrest me burg”.
Arrestimi vjen pas një periudhe disa javore zhvillimesh intensive hetimore dhe politike, që nisën me shpalljen e tij “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kulmuan me bastisje, hetime dhe kërkesë për paraburgim nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup.
Grubi, një nga figurat më të larta të Bashkimi Demokratik për Integrim, ka qenë për vite me radhë krahu i djathtë i liderit të partisë, Ali Ahmetit si dhe numri dy i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në periudhën 2020–2024.
Shpallja “non grata” nga DASH
Më 9 dhjetor, Departamenti i Shtetit i SHBA-së, njoftoi përfshirjen e Artan Grubit në listën e zezë amerikane, për shkak se akuzohet për “përfshirje në korrupsion të madh”. Në të njëjtën listë u përfshi edhe gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti.
Pas këtij vendimi, Grubi reagoi përmes rrjeteve sociale, duke deklaruar se gjatë gjithë karrierës së tij ka punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian. “Ky vendim më prek drejtpërdrejt dhe personalisht”, ishte reagimi i tij publik.
Dy ditë më vonë, më 11 dhjetor, Prokuroria e Shkupit hapi hetim për të verifikuar nëse Grubi dhe gjyqtari Bexheti kanë përgjegjësi penale lidhur me pretendimet e ngritura nga DASH për ndërhyrje në procese gjyqësore dhe përfshirje në korrupsion të lartë, përfshirë çështje që lidhen me ish-drejtorin e DSK-së, Sasho Mijalkov.
Kontrollet dhe dyshimet për “Lotarinë Shtetërore”
Më 16 dhjetor, policia kreu kontrolle në shtëpitë e Grubit dhe të ish-drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami, si dhe në disa lokacione të tjera. Sipas autoriteteve hetimore, janë siguruar prova që ngjallin dyshime se gjatë vitit 2023, si persona përgjegjës në Shoqatën Aksionare “Lotaria Shtetërore”, dy zyrtarët kanë shkaktuar dëme mbi 8 milionë euro në buxhetin e shtetit, përmes përvetësimit të paligjshëm të pasurisë.
Sipas Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut, përvetësimi i pasurisë nga një zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Në mesin e të dyshuarve në këtë rast përmendet edhe ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski, si dhe disa ish-zyrtarë të tjerë shtetërorë. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, bëri të ditur se kallëzimi penal është dorëzuar në Prokurorinë Publike në Shkup dhe se hetimet përfshijnë ish-funksionarë të lartë, përfshirë një ish-kryeministër, një ish-zëvendëskryeministër dhe drejtues institucionesh.
Qëndrimi i Ali Ahmetit
Pas shpalljes së urdhër-arrestit ndërkombëtar dhe raportimeve se Grubi ndodhej jashtë vendit, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, deklaroi se ish-zëvendëskryeministri “nuk është arratisur” dhe se vendndodhja e tij ishte “në hapësirat shqiptare”.
Ahmeti theksoi se Grubi është i gatshëm të paraqitet para organeve të drejtësisë, por kërkoi që procesi të mos jetë, sipas tij hakmarrës apo selektiv.
“Ne jemi kundër drejtësisë selektive dhe përdorimit të shpifjeve për qëllime politike ditore. Jemi të gatshëm të përgjigjemi në çdo moment. Kemi kërkuar që të bëhet veting dhe të hapen hetime për të gjitha partitë politike dhe të gjithë funksionarët deri më sot”, deklaroi Ahmeti.

Comments are closed.