Erjona Ismaili do të jetë në vazhdim ministrja e re e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, pas vendimit të djeshëm të kryeministrit Edi Rama, i cili vendosi ta merrte pranë vetes në kabinet, duke i besuar postin e Toni Gogut.
Ky i fundit, largohet nga posti i ministrit për Marrëdhënien me Parlamentin dhe në vazhdim do të jetë Ministër i Drejtësisë.
Erjon Ismaili është zgjedhur deputete në zgjedhjet e 11 Majit 2025, nën siglën e Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës dhe si përfaqësuese e qytetit të saj, Sarandës së bukur buzë bregut të jonit. Nga dje, tani ka edhe një detyrë më të rëndësishme.
Ajo do të jetë përgjegjëse për propagandën qeveritare në marrëdhënien me deputetët e Kuvendit.
E lindur më 26 mars 1990 në Sarandë, Erjona Ismaili e ka nisur rrugëtimin profesional me studimet në drejtësi, e më pas me punën në media dhe administratën publike, duke njohur nga afër si funksionon informimi dhe si ndërtohet besimi përmes shërbimit ndaj qytetarëve.
Në vitet e fundit, ka shërbyer si Koordinatore Rajonale në projektin zviceran “Bashki të Forta”, duke ofruar asistencë për njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Në korrik 2025, kur situata në Bashkinë e Vlorës dhe degën e PS kulmoi me përplasje për menaxhim të dobët, Edi Rama vendosi që në krye të Partisë Socialiste atje të caktohej kryetar Klevis Kaso dhe bashkëkryetare Erjona Ismaili.
Erjona Ismaili është përfshirë në listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, për Qarkun e Vlorës, pas një sherri 13 minuta në telefon që ka pasur me kryeministrin Edi Rama, sepse shtëpia i ishte përmbytur për herë të dytë.
E ftuar në podkasin e tij para zgjedhjeve të 11 Majit 2025, ajo dhe Rama kanë rrëfyer njohjen:
Edi Rama: Më thuaj si jemi njohur bashkë ?
Erjona Ismaili: Ne bashkë jemi njohur duke u zënë. Ditën e nesërme të përmbytjes së Vlorës. Një nga shtëpitë e përmbytura ishte shtëpia ime – për të dytën herë, pas dhjetë vitesh. Herën e parë, sherri nuk arriti deri tek ju, por herën e dytë, po.
Ju kam nisur një mesazh, bashkë me një telefonatë, jo shumë korrekte nga ana ime. Pastaj më morët ju në telefon.
E kam menduar se biseda do të ishte më e qetë sesa ishte… derisa më bëtë pyetjen e parë: “A e ke shtëpinë e siguruar?” Edhe unë thashë: “Sigalin e di vetë!” dhe biseda zgjati 13 minuta sherr.
Edi Rama: Fjalia që mua më nguli në mendje ishte: “Tjetër thoni dhe tjetër na bëni. Dhe kur vjen puna këtu, të njëjtët njerëz, po kjo histori… dhe askush nuk do të dijë se kush ka merita dhe kush nuk ka merita.” Kjo ishte fjalia që më ngeli në mendje. Në mendje të ngelin ato që të dhembin.
© Newsbomb.al

Comments are closed.