Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka komentuar ndryshimet në qeveri, teksa nuk i ka kursyer kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama. Malaj i ka kërkuar dorëheqjen Ramë, ku e bëri fajtor për gjendjen në cilën ndodhet vendi.
Më tej ish-ministri ka komentuar ndryshimet në qeveri, teksa theksoi se lëvizjet nga postet të ministrave, janë jo dinjitoze.
“Kam dy ditë që i kam bërë apel publik Ramës që të japë dorëheqjen sepse situata ku ndodhet vendi ynë, kemi arritur në një pikë kritike dhe duhet të ketë patjetër iniciativa qytetare, jo vetëm partiake për të marrë përgjegjësi për pikën e kthesës ku gjërat duhet të kthehen nga drejtimi i gabuar. Ndryshimet janë jo dinjitoze. Rama ka sjellë në kulturën shqiptare faktin vetëm unë e di kur do të bëhet dhe sa do të qëndrojë”, tha Malaj.
Më tej, Malaj nuk i ka kursyer as akuzat, teksa shprehet se Rama e Berisha janë kthyer në pronarë të partive që drejtojnë.
“Rama dhe Berisha i kanë kthyer partitë politike në sh.p.k personale dhe vendosin kush do të promovohet, kush do të goditet pas shpine, si do të zgjerohen interesat dhe çdo ndryshim tregon mungesën e mentalitetit të tij shtetformues në demokratizimin dhe qeverisjen e fundit. Rama është i sinqertë në vulgaritetin dhe agresivitetin e tij. Nuk sjell një të mirë publike, nuk hyjnë emrat fare”, tha Malaj në Report Tv.

Comments are closed.