Vila e ish-diktatorit Enver Hoxha tashmë është kthyer në një shtëpi pritëse për artistë nga e gjithë bota dhe menaxhohet nga fondacioni francez Art Explora. Mbrëmjen e sotme u sulmua me breshëri molotovësh e mjetesh piroteknike nga militantët e Berishës, një akt ky i paprecedentë.
Rezidentë që prej janarit e deri në muajin mars, në vilën e ish-diktatorit janë 8 artistë të ardhur nga Polonia, Turqia, Kosova, Kina, Bngladeshi, Bosnje & Hecegovina dhe Kosova. Së bashku me ta në vilë ka dhe personel.
Nga pamjet e transmetuara, shihet qartë që në momentin e sulmit brenda kishte njerëz. Brenda ndodheshin mbi 10 persona, por sesa prej tyre ishin artistë dhe personel nuk është e qartë. Ndërkohë artistja nga Greqia Amalia Vekri ka publikuar në profilin e saj në rrjete sociale dhe pamje nga momenti i sulmit me molotovë nga protestuesit e PD.
Të tjerë artistë gjatë ditës në rrjete sociale kanë publikuar momente nga aktivitete të zhvilluara sot brenda në vilë.
Partia Demokratike zhvilloi sot protestën e radhës, por këtë herë me një skenar të ndryshëm nga tubimet e mëparshme.
Ndryshe nga zakonisht, nuk u mbajt asnjë fjalim para Kryeministrisë. Protestuesit fillimisht u mblodhën para selisë së PD-së dhe nën drejtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, marshuan drejt godinës së Kryeministrisë dhe më pas dhe në disa institucione.
Gjatë marshimit, turma u ndal edhe para vilës historike të ish-diktatorit Enver Hoxha ku papritur disa nga protestuesit hodhën breshëri molotovësh dhe fishekzjarresh drejt vilës. Ndërkohë, brenda në objekt ka pasur persona, një detaj ky i cili u kishte “shpëtuar” demokratëve dhe nuk e morën parasysh para se të fillonin sulmin e tyre.
Pamjet e tregojnë qartë lëvizjet e personave brenda ndërtesës, ndërkohë që protestuesit nuk ndalën sulmin, deri në ndërhyrjen e policisë të cilët i sprapsën duke përdorur gazlotjellës dhe autobotin me ujë.
Në të njëjtën kohë, forcat e zjarrfikëses mbërritën në vendngjarje për të shuar flakët dhe për të nxjerrë jashtë personat që ndodheshin brenda vilës.
Ndryshe nga sa raportuam më herët, se në vilë ndodheshin dy persona, burime për mediat bëjnë me dije se në ambientet brenda ndodheshin më shumë se dy shtetas amerikanë, kryesisht artistë dhe artdashës. Ata janë nxjerrë jashtë dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë që lideri i të djathtëve, Sali Berisha pas këtyre tensioneve u largua. Ai hipi në automjetin e tij dhe sipas asaj që u mësua ish-kryeministri u drejtua drejt selisë blu.

Comments are closed.