Përshkallëzimi në Lindjen e Mesme po merr përmasa të reja, pasi kundërpërgjigja iraniane ndaj sulmeve të SHBA dhe Izraelit nuk është kufizuar vetëm në territorin izraelit. Mediat ndërkombëtare raportojnë për shpërthime në Bahrein, Abu Dhabi dhe Katar – vende ku ndodhen baza strategjike amerikane.
Sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane Fars, Irani ka kryer sulme me raketa ndaj një baze amerikane në Bahrein. Pas raportimeve për shpërthime, Ministria e Brendshme e Bahreinit u bëri thirrje qytetarëve të drejtohen menjëherë drejt vendeve të sigurta.
Bahreini konsiderohet një aleat kyç i Shteteve të Bashkuara në Gjirin Persik, pasi në Manama ndodhet selia e Flotës së Pestë të Marinës Amerikane – një pikë strategjike për operacionet ushtarake në rajon.
Ndërkohë, një zyrtar i Katarit deklaroi se forcat e mbrojtjes ajrore kanë arritur të ndërpresin dy raketa iraniane, duke shmangur goditjen e objektivave në territorin e tyre.
Zhvillimet e fundit tregojnë se Teherani po zgjeron frontin e reagimit ndaj operacioneve amerikane, duke shënjestruar interesa të SHBA-së në disa vende të Gjirit Persik. Situata mbetet jashtëzakonisht e tensionuar, ndërsa priten reagime të reja nga Uashingtoni dhe aleatët e tij.

Comments are closed.