Çfarë është kjo punë!!? Ne, socialistët ia fusim njëri-tjetrit. E papranueshme! Duhet të jemi bashkë!”. Këto kanë qenë disa nga fjalët me të cilët kryeministri Edi Rama u është drejtuar deputetëve dhe ministrave socialistë,me të cilët zhvilloi takime me dyer të mbyllura prej më shumë se 9 orësh në Pallatin e Brigadave, të Rruga e Elbasanit dy ditë më parë. Fjalë që janë shoqëruar më pas me vendime të befasishme që kanë prekur gjysmën e kabinetit qeveritar, me emërime, largime e rotacion në pak dikastere.
Edi Rama u ka thënë në sy të vetëve pakënaqësitë e krijuara gjatë punës së tyre në dikastere të rëndësishme, por edhe “shitjen” e shokëve të partisë që ata kanë bërë në selitë diplomatike të Tiranë. “Ju shkoni në dyert e ambasadave dhe shani njëri-tjetrin. Kjo është e papranueshme!
Ne duhet të jemi bashkë” ka qenë fraza që Edi Rama ka përsëritur në Pallatin e Brigadave, duke ju drejtuar një prej ministreve të tij, e cila është përfundimisht jashtë kabinetit. Bëhet fjalë pikërisht për Elisa Spiropalin, për të cilën kemi raportuar edhe më parë se zyrtarisht ajo është shpallur “non-grata” nga Edi Rama, pas përplasjes së kësaj të fundit dhe me Belinda Ballukun. Kryeministri nuk i ka kursyer pakënaqësitë publike për të, ndërsa me dyer të mbyllura ka qenë edhe më i ashpër. “Ç’është kjo punë?! Ne socialistët ia fusim njëri-tjetrit”, është shprehur më tej kryesocialisti, duke ju referuar edhe zhvillimeve në selitë diplomatike.
Çfarë ka ndodhur?
Në korridoret e Partisë Socialiste ka disa kohë që qarkullonte një skenar i largimit të Ramës dhe emërimit të Spiropalit si kryeministre tranzitore. Elisa Spiropali, ndezi një furtunë politike me vizitën e saj të papritur në Shtëpinë e Bardhë disa ditë më parë. Ajo u prit nga Charles McLaughlin, Asistent Special i Presidentit Trump dhe njëkohësisht Drejtor i Lartë për Europën dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Të njëjtin fat si Spiropali mund të pësojë dhe Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, pasi dhe ai ka patur takime të rëndësishme me ndërkombëtarët. Peleshi është takuar disa ditë më parë në SHBA me Michael Rigas, Zëvendësin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Këto takime të nivelit të lartë të Spiropalit dhe Peleshit kanë ardhur, në një kohë kur raportet e Edi Ramës me administratën amerikane janë të ngrira. Edhe me vizitën e fundit në Bordin e Paqes kryeministrin e përcollën pa asnjë takim, ndryshe nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila u takua me Sekretarin Amerikan të Shtetit Marco Rubio. Vizita në Shtëpinë e Bardhë e Spiropalit duke e vendosur atë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare mesa duket i kushtoi “kokën”. A do të pësojë të njëjtin fat dhe Peleshi? Edi Rama u ka thënë të tijve në mbledhje: “Siç ju kam paralajmëruar tashmë ne jemi një ekip basketbolli dhe do të ketë ndërrime”. Nuk është çudi që të këputet dhe “koka” e Niko Peleshit, me pretekstin e ndryshimeve si në basketboll.
Reagimi i Spiropalit dhe sinjali për Ramën
Elisa Spiropali theu dje heshtjen për shkarkimin nga posti si Ministre për Europën dhe Punët e Jashtme, në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar. Një mesazh që ka “sinjale” të qarta për krisjen e marrëdhënies së saj me Edi Ramën, e cila u theksua edhe më shumë dje, kur ajo nuk shkoi në mbledhjen që ai zhvilloi me kabinetin në Kryeministri, disa orë pas vendimeve në mbledhjen e Grupit. ” Përfundoi një detyrë, por jo një rrugëtim. Në jetën publike funksionet mbyllen me një vendim, ndërsa përgjegjësia vazhdon me ndërgjegjen”, shkruan Elisa Spiropali. Si shefe e diplomacisë shqiptare për disa muaj, ish-ministrja ka zgjedhur që mesazhet i saj t’i japë pikërisht ashtu, në mënyrën më diplomatike të mundshme, duke theksuar se shërbimi i saj nuk ishte një aksident karriere, por shërbim me dashuri ndaj Shqipërisë.
“I jam mirënjohëse Partisë Socialiste dhe Kryeministrit për besimin e dhënë ndër vite, sepse mirënjohja është kulturë politike dhe jo nënshtrim personal”, vijon më tej politikania socialiste. Elisa Spiropali shkon edhe më tej, kur shkruan se në çdo funksion që i është besuar ka zgjedhur të jem zë me bindje dhe jo jehonë pa peshë. “Kam besuar dhe vazhdoj të besoj se politika nuk është zotërim apo pronësim, por kujdestari e përkohshme”, vijon ajo. Ndër rreshta në reagimin e saj ka edhe një tjetër mesazh domethënës për Edi Ramën, kur ajo tregon se vendimet politike respektohen, por nuk historia personale e secilit prej nesh nuk matet me kohëzgjatjen e një mandati. “Vendimet politike janë pjesë e një vizioni më të gjerë dhe si të tilla respektohen, por historia personale e secilit prej nesh nuk matet me kohëzgjatjen e një mandati, as me fuqinë e përkohshme politike, por me gjurmën që lë në kulturën politike dhe morale të vendit”, vijon ajo.

Comments are closed.