Qytetari nuk përmbahet ndaj Edi Ramës: Zoti kryeministër, më idiot se ty nuk ka
Kryeministri Edi Rama duket se ka ndërhyrë vetë të shuajë protestat e banorëve të Tragjasit. Në këtë fshat pati shumë protesta kundër ujësjellësit të ri dhe sot ka dalë në mediat sociale një video, ku Rama ka telefonuar një qytetar, por telefonata ka përfunduar në përplasje e akuza.
Biseda, e cila nuk dihet se kur është zhvilluar, nisi me një pyetje të qytetarit mbi projektin e kanalizimeve në fshat. Banori pretendoi se investimi për tubacionet është kryer rreth 15 vite më parë, duke vënë në dyshim nevojën për ndërhyrje të reja.
Gjatë telefonatës, qytetari i drejtohet kryeministrit me pyetjen: “Kanalizimet që ju do të bëni në Tragjas, për çfarë funksioni do na interesojnë?”, duke shtuar se tubacionet “janë bërë” prej vitesh.
Kryeministri e kundërshtoi kategorikisht këtë pretendim, duke deklaruar se në zonë “nuk është bërë asgjë”. Ai reagoi me tone të ashpra ndaj bashkëbiseduesit, duke e akuzuar se po thotë “budallallëqe” dhe duke përdorur shprehje fyese si “jeni të çmendur komplet” dhe “si jeni kaq të çmendur, kaq idiotë?”.
Nga ana tjetër, qytetari iu përgjigj po me tone të forta, duke e akuzuar kryeministrin se po fyen fshatin dhe banorët e tij. “Më idiot nga ty nuk ka, që të vdesësh një fshat e të thuash fshati yt idiot”, dëgjohet të thotë ai në video.
Kryeministri më pas sqaroi se nuk i kishte quajtur “idiotë” banorët e Tragjasit si komunitet, por se po i drejtohej bashkëbiseduesit në debat.
Banorët shprehen se projekti rrezikon burimin e ujit të pijshëm për komunitetin dhe kanë organizuar disa protesta kundër nisjes së punimeve. Në protestën e fundit janë raportuar përplasje mes banorëve dhe policisë, pasi punëtorët e firmës zbatuese kishin mbërritur për të filluar ndërhyrjet në terren.
Biseda
Edi Rama: Më fal, më fal.
Qytetari: Po, më fal.
Edi Rama: Po të dëgjoj, fol me urdhër. Çfarë do të thuash?
Qytetari: Kanalizimet, kanalizimet që ju do të bëni në Tragjas, për çfarë funksioni do na interesojnë?
Edi Rama: Për çfarë funksioni? Po si, do të vazhdosh t’i lësh në rrugë? Nuk të duhen kanalet? Nuk do t’i fusësh në kanal, do vazhdosh t’i hedhësh në bahçe? Si do t’ia bësh?
Qytetari: Po ato janë bërë. Çfarë do bësh, prapë nga e para?
Edi Rama: Po kush i ka bërë? Cilat?
Qytetari: Kanalizimet.
Edi Rama: Ku i ke kanalizimet? Je në vete apo jo? Jeni në vete ju? Çfarë njerëzish jeni?
Qytetari: Zoti kryeministër, ato që po thua janë bërë. Do t’i qepësh nga e para, do t’i bësh?
Edi Rama: More zotëri, atje nuk është bërë asgjë. Më dëgjo çfarë po të them: nuk është bërë asgjë.
Qytetari: Asgjë? 15 vjet janë bërë tubacionet, zoti kryeministër.
Edi Rama: Çfarë të të fal kur flet budallallëqe? Si të të fal?
Qytetari: Më lër të flas njëherë, pastaj të dëgjoj ty.
Edi Rama: S’kam kohë të humb me ty të dëgjoj budallallëqe. E di sa budallallëqe kam dëgjuar këto ditë? Jam ngopur, e kupton? Ju jeni të shkëputur komplet. Si jeni kaq të shkëputur, kaq idiotë?
Qytetari: Zoti kryeministër, më idiot nga ty nuk ka, që të vdesësh një fshat e të thuash fshati idiot. Je kryeministër.
Edi Rama: Nuk i thashë idiot fshatit të Tragjasit. Po flas me ty dhe e thashë edhe për veten time që jam gjysmë i shkëputur. Mos më bërtit. Boll, e mbaruam bisedën. Të falënderoj për nivelin. Nuk kam më kohë për ty.
Qytetari: Unë nuk të fyeva…
Edi Rama: Të mora për respekt, por ti nuk meriton respektin tim. U solle shumë keq. Nuk vazhdoj dot bisedën.
Qytetari: Mirë, vazhdo ashtu, kryeministër, se Tragjasin në këmbë e ke.
Edi Rama: Këto “këmbët” mos m’i trego mua. Mos bërtit. Me mua mos bërtit. Nuk më ndalon njeri të bëj detyrën time, as ti dhe asnjë tjetër.
Qytetari: Zoti kryeministër… të lutem…
Edi Rama: Jo. E humbe mundësinë të flasësh me mua.
Qytetari: Tragjasin nuk e ka shuar dot gjermani dhe nuk e shuan dot ti, zoti kryeministër.

Comments are closed.