Detaje të reja janë mësuar nga ngjarja e ndodhur mëngjesin e kësaj të mërkure në fshatin Kërçisht, Maqellarë, ku një operacion policor për kapjen e një personi shumë të kërkuar ka përfunduar me plagosjen e një prej efektivëve të forcave “Shqiponja”.
Policia e Dibrës përmes një njoftimi zyrtar ka bërë me dije se gjithçka ka ndodhur në momentin kur forcat e policisë janë futur në banesën trekatëshe për të arrestuar shtetasin Klodian Llomi (Mazari), 35 vjeç, i cili konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë.
Gjatë ndërhyrjes, efektivi Gentjan Meda është rrëzuar aksidentalisht nga muri rrethues dhe si pasojë ka pasur dëmtime serioze në kokë. Fillimisht ai është transportuar në spitalin e Peshkopisë për ndihmë ne parë, e më pas me helikopter drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Raportimet e para ngritën dyshime se efektivi u shty nga 35-vjeçari, madje që pati dhe përdorim të armës së zjarrit, pasi në zonë ishin dëgjuar krisma. Megjithatë, kjo pistë është hedhur poshtë së fundmi nga Policia.

Në zhvillim të këtij operacioni policor, efektivët bënë të mundur arrestimin e Klodian Llomit, i cili akuzohet për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit, ka njohur dënimin e Gjykatës së Apelit të Romës në Itali, ku ka për të vuajtur dënimin e mbetur 6 vite, 7 muaj e 2 ditë burg.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Dibër
Finalizohet operacioni policor i koduar “Vendimi”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim.
Ekzekutohet vendimi i Gjykatës së Apelit për 35 vjeçarin, për vuajtjen e dënimit me 6 vite, 7 muaj e 2 ditë burg të mbetur, për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”, vepra të kryera në Itali.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, bazuar edhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore për një shtetas të kërkuar, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Dibër, në orët e para të mëngjesit të sotëm, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Vendimi”.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe të koordinuara, në Maqellarë u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit Klodian Llomi (Mazari)., 35 vjeç, banues në fshatin Kërçisht, Maqellarë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit, ka njohur dënimin e Gjykatës së Apelit të Romës në Itali, ku ka për të vuajtur dënimin e mbetur 6 vite, 7 muaj e 2 ditë burg për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”.
Ndërkohë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, një punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, inspektor G.M., gjatë kapjes së personit në kërkim është rrëzuar nga një mur rrethues, duke pësuar dëmtime trupore.
Punonjësi i policisë është transportuar me helikopter në drejtim të Tiranës, për ndihmë mjekësore më të specializuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Comments are closed.