Marku sot është në dëshpërim. Ai do të punojë, por nuk mundet të dalë nga shtëpia. Me një fëmijë që ka nevoja të mëdha, me gruan e vetme që përpiqet të mbajë në këmbë familjen, me djalin që e ka degdisur jashtë shtetit se ka frikë nga gjakmarrja, ai i lutet familjes së viktimës ta falë, ose ta vrasë.
“E kam pas dashamir të atin e djalit, por unë do t’i lutesha se çfarë do të dojë ai, vetëm të mbarojë kjo punë. Nuk mund ta duroj, dorëzohem vetë, vetëm të dalë e të më bëjë zë, shkoj me të, le të më vrasë, nuk e përballoj dot, as jetesën nga të gjitha anët, se çdo punë e bëj sikur me qenë duke e vjedhur. Kam dy-tre dele e shkoj vrap e me vrap e shikoj në të gjitha anët”, u shpreh Mark Pjetër Lleshi, i ngujuar.
“Organet e rendit e dinë fare mirë që familja është e ngujuar, si nuk shkohet atij dhe ti kërkojë llogari pse nuk e lë të dalë, jepi garanci me një dorëzan pse nuk bën këtë shteti, pse do të vuajë gjithë jetën ai. Ai vërtetë e ka bërë krimin, por edhe është dënuar. Kemi disa raste të tilla”, u shpreh Pjetër Gjoka, Misioni i pajtimit të gjaqeve në Lezhë.
Megjithëse e ka kryer dënimin sipas ligjit, ai thotë se ka qëndruar në Shqipëri dhe nuk është larguar jashtë sepse po pret që të marrin hakun. Duket e çuditshme, por e vetmja frikë e tij është vdekja natyrale. Kjo sepse gjaku i ngelet pas dhe familja do të trashëgonte konfliktin. Ndaj, ai kërkon me ngulm që situata të marrë zgjidhje duke i ofruar jetën e tij familjes së viktimës.

Comments are closed.