Përmes kompanisë “Dynacom”, George Prokopiou po dëshmon gatishmërinë për të operuar në zona të rrezikut të lartë, ku pak pronarë anijesh guxojnë të shkelin. Duke sfiduar tensionet me Iranin, manjati grek po shfrytëzon një mundësi të rrallë tregtare që ofron fitime rekorde në këmbim të rrezikut ekstrem…
Ndërsa raketat iraniane përshkonin qiellin mbi Ngushticën e Hormuzit të dielën, duke paralizuar thuajse plotësisht trafikun në një prej korridoreve tregtare më jetike të globit, një miliarder grek po i drejtonte anijet e tij drejt qendrës së trazirave.
Dynacom Tankers, në pronësi të 79-vjeçarit George Prokopiou, ka dërguar të paktën pesë anije cisternë përmes kësaj grykëderdhjeje të ngushtë që prej shpërthimit të konfliktit me Iranin të shtunën. Ky veprim e radhit atë mesin e të paktëve operatorë të ligjshëm që guxojnë të ndërmarrin këtë lundrim të rrezikshëm.
“Shumica e pronarëve i kanë pezulluar tranzitet derisa të qetësohet situata,” u shpreh një ndërmjetës i transportit detar. “Megjithatë, ekzistojnë disa ‘kusarë’ të gatshëm për të marrë përsipër rrezikun”- theksoi ai.
Motivimi që qëndron pas këtij guximi është financiar: fitimet në këtë kohë janë marramendëse. Tarifat e transportit për anijet cisternë që largohen nga Gjiri janë më shumë se dyfishuar që nga e premtja, duke arritur nivele rekord.
Sipas agjencisë së raportimit të çmimeve, Argus, një anije e tipit VLCC (transportuese gjigante e naftës bruto) që ndërmerr udhëtimin e rrezikshëm drejt Kinës, mund të gjenerojë rreth 500.000 dollarë të ardhura në ditë, pa llogaritur koston e sigurimit shtesë për rrezikun e luftës.
Por, ndërsa për pronarët rreziku matet me para dhe mjete lundruese, për marinarët në bord në lojë është vetë jeta e tyre. Irani ka kërcënuar se do të godasë çdo anije që tenton kalimin, duke shënjestruar të paktën nëntë prej tyre që nga fillimi i konfliktit, me pasojë vdekjen e të paktën tre detarëve.

Për të shmangur pikasjen, të gjitha anijet e “Dynacom” i fikën transponderët e tyre gjatë kalimit nëpër Ngushticë. Të dhënat e gjurmimit tregojnë se anija “Athina”, e cila ndodhej në rajon përpara sulmeve, ndaloi transmetimin e sinjalit të shtunën në mbrëmje, për t’u rishfaqur të nesërmen në Gjirin Persik.
Anija arriti në portin Sitrah të Bahrejnit të hënën dhe u nis dy ditë më vonë, tashmë e ngarkuar me naftë. I lindur në një familje të pasur në Athinë në vitin 1946, Prokopiou i përket brezit të fundit të pronarëve grekë që dominojnë tregtinë detare botërore.
Ndonëse zotëron pasuri përrallore, ai përshkruhet si një njeri “i thjeshtë” dhe “i dhënë pas punës”, i cili lëviz pa truproja dhe drejton një makinë të vjetër tip Mercedes. Ai e kalon pjesën më të madhe të kohës në mega-jahtin e tij, Dream, 106.5 metra i gjatë, i ankoruar në Rivierën e Athinës.
Portofoli i tij i gjerë i patundshmërive i ka dhënë epitetin “mbreti i pasurive të paluajtshme” në Greqi. Vitin e kaluar, ai bleu një pjesë të aksioneve në hotelin luksoz “Four Seasons Astir Palace” dhe marinën e Vouliagmenit.
Pasi bleu anijen e parë në moshën 20-vjeçare, Prokopiou ndërtoi një flotë globale, e cila u bë e njohur për rreziqet që merrte përsipër. Sot, tre kompanitë e tij zotërojnë mbi 150 anije aktive dhe rreth 85 të tjera janë në proces ndërtimi.
“Ai është një legjendë e industrisë detare që merret me atë që ne e quajmë biznes ‘premium’,” thotë një bashkëpunëtor i tij, duke përdorur një eufemizëm për tregtitë që janë të ligjshme, por që mbartin rreziqe tejet të larta.
Gjatë vitit të fundit, “Dynacom Tankers” ka transportuar miliona fuçi naftë ruse, duke u bërë një nga transportuesit kryesorë të Moskës pas fillimit të pushtimit të Ukrainës. Ndonëse kjo i solli kritika dhe përfshirje të përkohshme në listat e zeza të Ukrainës, ai ka operuar gjithmonë brenda kornizave ligjore dhe sanksioneve ndërkombëtare.
Sipas Ed Finley-Richardson, investitor në transportin detar, Prokopiou bën pjesë në grupin elitar të pronarëve që e lënë në hije konkurrencën përmes guximit të tyre. Ai vuri në dukje se hyrja në Gjirin Persik me një anije pa ngarkesë e minimizon rrezikun fillestar.
Ndërsa sapo ndodhesh brenda, pozita negociuese për të kërkuar çmime të larta është e jashtëzakonshme. Ky model biznesi i ngjan atij të figurave historike si Aristotle Onassis apo John Fredriksen, të cilët pasurinë e tyre e rritën pikërisht gjatë periudhave të luftërave globale.
Vetë Prokopiou e ka përmbledhur kështu filozofinë e tij në vitin 2014: “Nëse nuk je njeri që merr përsipër rreziqe, atëherë nuk mund të merresh dot me transportin detar. Nëse nuk i dëshiron rreziqet, atëherë rri në shtëpi dhe investo në obligacione shtetërore…”./Pamfleti

Comments are closed.