Gjenerali Ded Prenga, i ftuar në emisionin “Terminal” të gazetares Aurora Sulce në A2 CNN, foli për tensionet në Lindja e Mesme dhe ndikimin që një përshkallëzim i mundshëm i konfliktit mund të ketë edhe në vendet e rajonit.
Sipas tij, në situata të pasigurta ndërkombëtare qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të marrin masa paraprake, veçanërisht për sa i përket furnizimeve bazë dhe ndikimit që mund të ketë rritja e çmimeve në treg.
I pyetur nga gazetarja se çfarë duhet të kenë qytetarët rezervë në shtëpi, Prenga theksoi rëndësinë e përgatitjes pa krijuar panik.
“Çdo gjë duhet të ketë një rezervë. Ndoshta situata nuk është për të përhapur ndonjë panik, sepse nuk ka vend për panik, por për përgatitje dhe për masa çdo qytetar duhet ta mendojë. E para duhet të mendojë për çështjen që lidhet me çmimet, por edhe me pamundësinë për t’u transportuar mallrat, sepse ne nuk jemi një vend që prodhojmë. Ne, për fat të keq, nuk prodhojmë pothuajse asgjë dhe marrim gjithçka nga jashtë,” u shpreh ai.
Gjenerali shtoi se kjo situatë lidhet drejtpërdrejt edhe me ekonominë dhe varësinë e vendit nga importet.
“Mjafton të shohësh raportin e eksporteve me importet për vendin tonë dhe arrin në përfundimin se sa të varur jemi nga tregjet e jashtme,” tha Prenga. (A2 Televizion)

Comments are closed.