Vepra penale që akuzohet Belinda Balluku është me karakter administrativo-penal…
Partia Socialiste rrëzon kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, ish-zv.Kryeministre dhe ish-ministre e Infrastrukturës. Sipas raportit të hartuar nga 5 anëtarët socialistë të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, në rastin e Belinda Ballukut, nuk përmbushtet kushtet që ajo të arrestohet, bazuar në kërkesën e SPAK. Në këtë kuadër, socialistët mendojnë se nuk ka asnjë arsye për zëvendësimin e masës së sigurisë nga “ndalim jashtë vendit” në “arrest”.
Në raport i sugjerohet Kuvendit që të mos japë autorizimin për arrestimin e Belinda Ballukut, ndërsa theksohet se ky qëndrim nuk pengon SPAK që të vijojë hetimet ndaj ish-zv.Kryeministres.
Në qëndrimin e PS thuhet se masat e sigurimit personal nuk lidhen domosdoshmërisht me akuzat që ngrihen ndaj një individi, por duhen pritur hetimet.
“Në përfundim ne si anëtarë të mazhorancës në Këshillin për Imunitetet arrijmë në përfundimin se nuk ka vend për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, atë të ndalimit të daljes jashtë shtetit, me masën më të rëndë të arrestimit me burg apo në shtëpi.
Ne si anëtarë të shumicës i rekomandojmë seancës plenare rrëzimin e kërkesës së SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut, mosdhënien e këtij autorizimi pasi nga shqyrtimi i materiale dhe rrethanave, nuk rezulton të jenë evidentuar domosdoshmëria e vendosjes së një mase të tillë në raport e funksionimin e mandatit parlamentar. Ky rekomandim nuk e pengon SPAK që të vazhdojë hetimet ndaj Ballukut. Ka një masë, atë të pengimit të daljes jashtë shtetit dhe këtë e konsiderojmë si një çështje që i takon drejtësisë. Masat e sigurimit personal, nuk lidhen me ekzistencën e veprës penale, duhet të priten hetimet”, u shpreh Manja.
Në raportin që Ulsi Manja lexoi para grupit parlamentar socialist dhe që përbën edhe qëndrimin e PS-së në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve, thuhet se pavarësisht pretendimeve të SPAK për shtimin e akuzave, vepra penale mbetet sërish e njëjta, shkelja e barazisë në tendera.
“Masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit është vendosur në nëntor 2025. Në 16 dhjetor 2025 Prokuroria i ka kërkuar Kuvendit autorizimin për arrestim.
Këshilli pasi dëgjoi prokurorët dhe mbrojtësit e deputetes, zhvilluam diskutimet tona dhe në përfundim kemi këtë qëndrim.
Prokuroria thotë se janë shtuar fakte dhe episode të reja penale çka e shton sanksionin e veprës dhe dëmin hipotetik që ka pësuar shteti.
Në vlerësimin tonë nëse do pranohet fakti se çdo zgjerim i hetimit konsiderohet rrethanë e re që të justifikojë arrestin, çdo procedim penal me shumë episode do përfundonte në paraburgim”, u shpreh Ulsi Manja.
Në raport tha se nuk ka asnjë akuzë të drejtësisë ndaj Belinda Ballukut se ka ndikuar, apo nuk jepet asnjë provë direkte apo indirekte që ajo të ketë prishur provat.
“Vepra penale që akuzohet Belinda Balluku është me karakter administrativo-penal”, tha Ulsi Manja, në emër të deputetëve të PS-së, anëtarë të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve.
“Lidhur me nevojën për rëndimin e masës së sigurisë, Këshilli mori në konsideratë kuadrin ligjor për zv e masës, kjo dispozitë kërkon ekzistencën e fakteve të reja. Tani SPAK në relacion thotë janë shtuar edhe disa fakte e episode të reja të cilat e shtojnë automatikisht dëmin hipotetik që ka pësuar shteti nga këto procedura. Në vlerësimin tonë rëndimi i masës do të thoshte kalimi në paraburgim, kur ky duhet të ishte masa e fundit.
Ka një fakt që nuk ndryshon, vepra penale, ajo mbetet e njëjta. Pretendimi nuk përmbush kushtet. Paraburgimi, është masa e fundit, Nuk ka një vepër penale të re, është vetëm ajo e shkeljes së barazisë në tendera. Ngelet e njëjta vepër. Pretendimi për rëndimin e situatës, nuk ndryshon”, tha Manja.
Referuar pretendimeve të SPAK, Manja tha se Prokuroria Speciale pretendon se një dëshmitare është intimiduar, edhe pse nuk u paraqit asnjë provë për të provuar se kush e intimidoi.
“Na u paraqit një procesverbal ku dy shtetase bisedojnë me njëra-tjetrën lidhur me dëshminë që njëra ka dhënë gjatë hetimit në SPAK. Ajo pretendon se ajo është intimiduar. Nuk rezulton as nga procesverbali, as nga deklarimet e kësaj shtetase që ajo të jetë intimiduar, nga deputetja jo e jo, por edhe kur thuhet nga Kabineti, ai është nocion abstrakt. Hetimi penal nuk mund të zhvillohet mbi kabinetin.
Por edhe pretendimi se kjo dëshmitare është intimiduar nga persona të fortë, ajo ka thënë se “unë i qëndroj dëshmisë sime”. Në të gjitha rastet një provë e tillë do të duhet të plotësohet edhe me prova të tjera. Lidhur me dëshmitaren, ajo ka statusin e të pandehurës në këtë procedim dhe sipas Kodit, thëniet e një të pandehure merren me rezervë.
Thuhet se është intimiduar nga kabineti, por është nocion abstrakt”, tha Manja, duke e konsideruar si të pamjaftueshëm ‘provën’ e paraqitur nga SPAK.
Ai tha se edhe vetë dëshmitarja ka pohuar se i qëndron deklarimeve të saj në Prokurori, pra tregon se nuk kemi intimidim të asaj që kosniderohet si dëshmitare, përsa kohë nuk ndryshon dëshminë.
Gjithashtu, Manja rrëzoi edhe pretendimin e SPAK për rrezikun e prishjes së provave.
“Rreziku i prishjes së provave nuk u provua me fakte reale, por janë konsiderata që në themel të tyre kanë ish-funksionin e ministres që mbante Balluku. Po të kishte prishje provash do kishte një akuzë të dytë për pengimin e drejtësisë”, tha Manja. /Pamfleti/

Comments are closed.