Gazetari plas deklaratën e fortë: U sfiduan interesat amerikane!
“Pas projektit, qëndron një kompani offshore që fillon në Greqi e përfundon në Rusi”
Gazetari Poli Hoxha komentoi zhvillimet e fundit politike dhe përplasjen mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, duke u ndalur veçanërisht te çështja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas Hoxhës, qëndrimi i Partisë Socialiste për të mos i hequr imunitetin Ballukut, pavarësisht kërkesës së SPAK, tregon një përplasje të hapur mes politikës dhe institucioneve të drejtësisë.
Gazetari u ndal gjithashtu edhe te çështja e Porto Romanos, duke e cilësuar qëndrimin e kryeministrit Edi Rama si një sfidë ndaj interesave amerikane në lidhje me projektin për portin.
Sipas Hoxhës, në bazë të disa investigimeve mediatike, pas projektit të ndërtimit të portit qëndron një kompani me strukturë të dyshimtë pronësie. Ai pretendoi se zinxhiri i kësaj kompanie nis në Greqi, kalon përmes disa kompanive “offshore” në Qipro dhe përfundon me lidhje në Rusi.
Në analizën e tij, Hoxha tha se hetimet e Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë nisur tashmë për këtë projekt dhe se në dokumentet e hetimit, sipas tij, përmendet edhe emri i kryeministrit.
Duke folur për zhvillimet në drejtësi, gazetari theksoi se reforma e vitit 2016 u krijua nën presion të madh politik dhe ndërkombëtar, por sipas tij, gjatë viteve politika ka tentuar të ndikojë në shumë institucione. Ai theksoi se dy strukturat që kanë mbetur më të paprekura nga ndërhyrjet politike janë SPAK dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas Hoxhës, Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar përballë korrupsionit dhe përplasja mes politikës dhe institucioneve të drejtësisë është drejt një kulmi.
Ai shtoi se vendimet e fundit të gjykatave për pezullimin e disa zyrtarëve të lartë kanë krijuar një precedent të ri dhe, sipas tij, nëse hetimet e SPAK për çështje të ndryshme përparojnë, nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen të kërkohet edhe pezullimi i vetë kryeministrit.
“Kemi arritur në një pikë ku reforma në drejtësi u krijua në vitin 2016 me presion ekstra politik. I dimë presionet. Kemi puthjen e famshme të dy ambasadorëve Lu dhe Vlahutin. Por rrugës, për gjithë reformën u fut politika, por nuk ndërhyri dot në dy ishuj SPAK dhe GJKKO. Institucione me konsensus. Kanë kaluar 10 vjet, bashkëjetesë e maces me minjtë e korrupsionit. Macja është rritur dhe po gjuan kryeminjtë. Kjo bashkëjetesë nuk vazhdon, Shqipëria po lëngon.
Kemi arritur në pikën që o duhet të fitojnë institucionet që u krijuar për këtë klasë të korruptuar ose do fitojnë kjo klasë të korruptuar. Jam i gëzuar sot, kjo që bëri Edi Rama, ka afruar përplasjen finale. Kjo nuk është thjesht me SPAK dhe GJKKO, përplasje me mentorët e tyre. Që i thonë popullit shqiptar i garantojmë ne, SHBA. SPAK është futur dhe në deklaratat e SHBA si aleat strategjik. Si një mjet strategjik. Them që nëse korrupsioni do ishte njeri, për të mbrojtur veten e tij, më mirë se Edi Rama nuk do e kishte mbrojtur. Gjyqtar më të mirë se Edi Rama që bëri sot. Bëri karshillëk ndaj SHBA. Duke ditur çfarë po ndodjh në SPAK, zuri në gojë problemet e veta. Të Porto Romano tha ne nuk pranojmë shantazh, dy ditë pas deklaratës së Dhomës Amerikane të Tregtisë. Ky tha ka vetëm një plan A dhe plan B, prapë europian, C-ja ta harrojë, që është SHBA.
Është dhe më e thellë. Edi Rama është futur në lojërat e korrupsionit gjeo strategjik. Kompania më e madhe e ndërtimit të porteve është skualifikuar dhe nuk e kanë lënë të ankohet, franceze. Kanë gjetur një kompani që fillon në Greqi, vijon në Qipro në guacka off shore, dhe përfundon në Rusi. Kanë filluar pazaret dhe është shtyrë, është kapur vetë kryeministri në këto pazare dhe është çuar për delegim në SPAK. Akoma nuk është hapur çështja e energjitikës. Kanë ardhur dokumente nga jashtë. Prek emrin e kryeministrit. Harruam vendimin e apelit për pezullim, i vuri vulën pezullimin e zyrtarëve të lartë të kabinetit. Mendoj se në gjetjet e SPAK, shumë shpejt do kërkojë edhe pezullimin e kryeministrit. Për të hapur rrugë atyre në tavolinë,” tha gazetari Poli Hoxha në emisionin Studio24.

Comments are closed.