Skip to content

“Do të bëjmë atë që bëmë në Gaza”/ Izraeli, çfarë pritet të ndodhë në Lindjen e Mesme

Përgatitjet për këtë operacion erdhën pas një sulmi të Hezbollahut ndaj Izraelit

Izraeli po përgatitet për një operacion të gjerë tokësor në jug të Libanit me qëllim shkatërrimin e forcave të Hezbollahut, në zonën në jug të lumit Litani.

Sipas gazetës amerikane Axios, që citon zyrtarë izraelitë dhe amerikanë, operacioni parashikon hyrjen e trupave izraelite në të gjithë territorin në jug të lumit Litani dhe eliminimin e infrastrukturës ushtarake të Hezbollahut në atë zonë. Zyrtarët e cituar nga media amerikane thonë se ky do të ishte operacioni më i madh ushtarak i Izraelit në Liban që nga lufta e vitit 2006.

“Ne do të bëjmë atë që bëmë në Gaza”, deklaroi një zyrtar i lartë izraelit për Axios, duke lënë të kuptohet për një ofensivë të ngjashme me operacionet e zhvilluara më parë nga Izraeli në Rripin e Gazës.

Përgatitjet për këtë operacion erdhën pas një sulmi të Hezbollahut ndaj Izraelit, gjatë të cilit u lëshuan më shumë se 200 raketa drejt territorit izraelit. Sulmi, sipas zyrtarëve, dyshohet se është kryer në koordinim me Gardën Revolucionare të Iranit (IRGC).

Published inBank

Comments are closed.