Skip to content

E bujshme! SPAK bëhet gati të ndërtojë skuadrën e fshehtë me agjentë të infiltruar

SPAK po planifikon të krijojë njësi “undercover” me agjentë të infiltruar në BKH, për të përmirësuar rezultatet nga hetimet dhe për të ulur varësinë nga Policia e Shtetit, institucion me të cilin kjo strukturë ka bashkëpunuar që nga krijimi.

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka planifikuar krijimin e një njësie operative brenda Byrosë Kombëtare të Hetimit që do të përdorë metoda vëzhgimi dhe infiltrimi në hetime.

Projekti parashikon ngritjen e një force të specializuar që do të kryejë operacione të fshehta dhe hetime “undercover”. Qëllimi kryesor është rritja e kapaciteteve hetimore të BKH dhe ulja e varësisë nga Policia e Shtetit, institucion me të cilin kjo strukturë ka bashkëpunuar që nga krijimi.

Plani përmendet në raportin vjetor të SPAK. Institucioni argumenton se një njësi e brendshme operative do të kufizojë rrjedhjen e informacionit gjatë veprimeve hetimore dhe do të forcojë sigurinë e operacioneve.

Propozimi vjen në një moment kur SPAK ka ngritur shqetësime për raste dekonspirimi që kanë ndikuar në dështimin e disa aksioneve.

BKH tashmë ka marrë kompetenca të rëndësishme në hetime, duke përfshirë përgjimet dhe funksione të tjera operative. Gjithashtu është krijuar edhe një njësi parandaluese, ndërsa struktura për vlerësimin e riskut ende nuk është funksionale.

Në godinën ku pritet të zhvendoset Byroja Kombëtare e Hetimit janë instaluar sisteme kamerash dhe regjistrimi audio në zyrat e marrjes në pyetje. Këto pajisje do të përdoren për monitorimin dhe dokumentimin e plotë të deklarimeve të dëshmitarëve dhe personave që merren në pyetje gjatë hetimeve.

“SPAK në godinën e re ka marrë të gjitha masat e nevojshme duke parashikuar një infrastrukturë të dedikuar për marrjen në pyetje të personave dhe dëshmitarëve. Janë parashikuar dhoma të veçanta për marrje në pyetje dhe dhoma për procedurat e njohjes. Çdo dhomë marrjeje në pyetje është e pajisur me pika të integruara në dysheme për furnizim me energji elektrike dhe lidhje interneti, si dhe me sistem të instaluar kamerash dhe regjistrimi audio, për të garantuar monitorim dhe dokumentim të plotë të procedurës sipas standardeve me të mira ndërkombëtare”, thekson raporti i publikuar disa ditë më parë.

Po ashtu kujtojmë që SPAK ka blerë pajisje speciale përgjimi. Pajisja me shumë funksione si përgjim, lokalizim dhe njëherësh mbledhjen e shumë të dhënave telefonike është “IMSI Catcher” dhe aktualisht ka hyrë në zyrat e SPAK, kundrejt një kontrate afro 1 milion euro që është nënshkruar me një kompani të huaj.

BKH mjafton që përmes kësaj pajisje, të afrohet pranë një institucioni dhe aty të përgjojë çdo celular. Me këto zhvillime, SPAK po përgatitet për një sezon frytshëm goditjesh të korrupsionit dhe krimit të organizuar./ Pamfleti

Published inBank

Comments are closed.