E diela në “Big Brother VIP Fan Club” ka rezervuar një nga përplasjet më të forta televizive të këtij edicioni.
Toni Bollati, i ftuar në një lidhje telefonike, ka shfrytëzuar hapësirën për të shprehur gjithë revoltën e tij të grumbulluar ndaj produksionit të programit dhe situatave të krijuara rreth vajzës së tij, Selinës.
Biseda me moderatoren Kiara Tito ka qenë e tensionuar që në sekondat e para dhe ka kaluar në disa momente kyçe.
Toni e nisi bisedën me akuza se i ishte mohuar e drejta për të folur prej kohësh. Kur Kiara u përpoq të zbuste situatën duke thënë se “ka kohë për gjithçka, ja ku jemi tani”, ai iu përgjigj me një ironi therëse: “Po patjetër që ka kohë, pas gjithë atij degradimi të vajzës sime patjetër që ka kohë.”
Përballë këtij tensioni, Kiara u përpoq të tregonte empati, duke theksuar se si një ish-banore e kuptonte shumë mirë presionin dhe se me kalimin e kohës gjërat sheshohen. Megjithatë, kjo nuk e qetësoi Tonin, i cili i ktheu një përgjigje të prerë: “Pikërisht se ke qenë vetë në BBV nuk duhet t’i thuash këto fjalë.”
Situata mori një rrjedhë tjetër kur Toni u shpreh se ndjekësit “nuk kanë pasur mendere të merren me Top Channel” dhe gjithë urrejtjen e kanë kanalizuar te Selina dhe familja e tyre.
Kiara ndërhyri menjëherë duke i kërkuar të ketë kujdes me gjuhën, por ai e sfidoi hapur: “Do të përgjigjem si do ti apo si dua unë?” Këtu, moderatorja mbajti një qëndrim të fortë dhe të prerë:
“Mirësinë time mos e merr për dobësi. Unë po të flas qetë, me qetësinë që më karakterizon, dhe nuk po t’i bëj me qëllim të keq pyetjet, po të pyes për ato çfarë ka kuriozitet publiku.”
Pas këtij momenti, gjuha e Tonit ndaj Kiarës u zbut disi, por revolta ndaj produksionit mbeti e palëkundur.
Ai e mbylli lidhjen me një mesazh të qartë dhe sfidues për producenten e programit: “Kur ajo e nderuara Sara Hoxha të më japë fjalën, do flas për situatat e vajzës sime në BBV.”
Ky moment ka bërë xhiron e rrjetit, duke ndarë shikuesit mes atyre që mirëkuptojnë revoltën e një prindi dhe atyre që vlerësojnë profesionalizmin e Kiarës në menaxhimin e një situate kaq delikate ‘live’.

Comments are closed.