Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Piacenza, ku një e re shqiptare ka humbur jetën pas një rënieje nga lartësia. Viktima është 20-vjeçarja Anxhela Byku, e cila ndërroi jetë në spital pasi ra nga rreth tetë metra lartësi poshtë banesës së saj në rrugën Via Beverora.
Sipas mediave lokale, ngjarja dyshohet të ketë qenë një aksident tragjik, dhe jo një veprim i qëllimshëm apo pasojë e ndërhyrjes së personave të tretë. Kjo është edhe pista kryesore që po hetohet nga Arma dei Carabinieri.
E reja, e njohur nga miqtë dhe familjarët si Angi, u gjet e shtrirë në oborrin e pallatit nga një fqinj të martën në mëngjes në gjendje shumë të rëndë. Ajo u dërgua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra nga rënia.
Sipas hetimeve paraprake, 20-vjeçarja po gatuante në shtëpi atë mëngjes, kur dyshohet se është shpërqendruar nga zilja e derës dhe ka dalë jashtë apartamentit pa marrë çelësat me vete. E mbetur jashtë dhe pa mundësi për të hyrë, ajo dyshohet se ka tentuar të ngjitet në fasadën e ndërtesës duke u kapur pas parmakëve, për të arritur në ballkonin e apartamentit të saj në katin e dytë.
Gjatë kësaj përpjekjeje, ajo ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë nga një lartësi prej rreth 8 metrash, duke humbur edhe jetën.

Comments are closed.