Skip to content

Do kontrrollohen të gjitha llogaritë e shqiptarëve, dhe lëvizjet e emigrantëve!

Vendimi që mund të tronditë politikën, qeveria përcakton rregullat si do të bëhet shkëmbimi i llogarive bankare…

Në një vend ku prej vitesh flitet për pasuri të mëdha të fshehura jashtë vendit nga elitat politike dhe ekonomike, një vendim i ri i qeverisë mund të hapë një kapitull të ri transparence financiare. Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin nr.113, datë 27 shkurt 2026, i cili përcakton rregullat e zbatimit të ligjit për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare.

Vendimi zgjeron mekanizmin përmes të cilit bankat dhe institucionet financiare raportojnë të dhëna për llogaritë bankare dhe investimet financiare, të cilat më pas shkëmbehen automatikisht mes administratave tatimore të vendeve të ndryshme. Në thelb, sistemi synon të bëjë më të vështirë fshehjen e parave jashtë vendit përmes llogarive bankare, fondeve investuese apo strukturave financiare ndërkombëtare.

Në këtë skemë, institucionet financiare duhet të raportojnë pranë administratës tatimore identitetin e mbajtësit të llogarisë, juridiksionin e rezidencës tatimore, numrin identifikues tatimor, si dhe të dhëna mbi vetë llogarinë financiare, përfshirë gjendjen e saj dhe të ardhurat që gjeneron si interesat, dividendët apo të ardhurat nga shitja e aktiveve financiare. Informacioni duhet të dorëzohet çdo vit pranë administratës tatimore deri më 30 maj për vitin kalendarik paraardhës.

Për herë të parë, vendimi përfshin në sistemin e raportimit edhe kriptoasetet, një sektor që për vite me radhë është konsideruar si një hapësirë relativisht e paqartë për autoritetet fiskale. Dokumenti i përkufizon kriptoasetet si përfaqësime digjitale të një vlere ose të drejte që mund të transferohen dhe ruhen elektronikisht përmes teknologjisë së regjistrave të shpërndarë, si blockchain.

Përfshirja e kriptomonedhave dhe platformave të tregtimit të tyre në këtë sistem raportimi është një hap që synon të mbyllë një nga kanalet më të përdorura për lëvizjen ndërkombëtare të kapitalit jashtë radarit të autoriteteve tatimore.

Por përtej aspektit teknik, vendimi hap edhe një debat të madh politik. Prej vitesh në Shqipëri janë ngritur dyshime se një pjesë e konsiderueshme e pasurive të krijuara nga korrupsioni apo nga abuzimi me fondet publike është transferuar jashtë vendit dhe është fshehur në juridiksione financiare të njohura për sekretin bankar.

Zvicra, Malta, Emiratet e Bashkuara Arabe, Luksemburgu apo parajsa fiskale si Ishujt Kajman dhe Panama janë përmendur shpesh si destinacione ku kapitalet e mëdha nga rajoni mund të parkohen përmes kompanive offshore, trusteve apo strukturave të ndërlikuara financiare që e bëjnë të vështirë identifikimin e pronarit real.

Në teori, sistemi i ri i shkëmbimit automatik të informacionit krijon një rrjet ndërkombëtar transparence ku administratat tatimore mund të marrin të dhëna për llogaritë financiare të rezidentëve të tyre në vende të tjera. Kjo do të thotë se edhe autoritetet shqiptare mund të marrin informacion për llogaritë bankare që shtetasit shqiptarë mbajnë jashtë vendit.

Megjithatë, pyetja që mbetet është nëse ky mekanizëm do të përdoret realisht për të hetuar pasuritë e mëdha të fshehura nga elitat politike dhe ekonomike, apo nëse ai do të funksionojë kryesisht si një instrument kontrolli fiskal për qytetarët dhe bizneset e zakonshme.

Nëse sistemi zbatohet në mënyrë të plotë dhe pa përjashtime, ai mund të bëhet një nga mekanizmat më të fuqishëm për të identifikuar pasuritë e padeklaruara jashtë vendit. Në të kundërt, rrezikon të mbetet vetëm një tjetër reformë teknike në letër, ndërsa kapitalet e mëdha vazhdojnë të qarkullojnë përmes rrjeteve të financës offshore larg vëmendjes së publikut dhe institucioneve. /Pamfleti

Published inBank

Comments are closed.