Avokati Idajet Beqiri ishte i ftuar pasditen e kësaj të hëne në studion e Report Tv, ku komentoi zhvillimet më të fundit në Partinë Demokratike dhe garën që pritet të hapet për zgjedhjen e lidershipit të ri.
Gjatë intervistës, Beqiri u ndal edhe te qëndrimi i deputetit Ervin Salianji përballë kësaj gare, duke shprehur bindjen se ai heziton të përfshihet drejtpërdrejt në përballjen për drejtimin e partisë. Sipas avokatit, nëse Salianji do të ishte përballë Lulzim Bashës në një garë të tillë, shanset për fitore do të ishin të vogla, megjithatë ai theksoi se përfshirja në garë do të kishte qenë një hap që ia vlente.
Beqiri shtoi se Salianji e njeh mirë realitetin dhe figurat që kanë dominuar politikën në Partinë Demokratike ndër vite, ndaj edhe tregohet i kujdesshëm në vendimmarrjet e tij. Në këtë kontekst, ai rikujtoi edhe garën e dikurshme brenda PD-së mes Lulzim Bashës dhe ish-ministrit e deputetit demokrat, Sokol Olldashi, duke hedhur akuza të forta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Sipas Beqirit, zhvillimet që pasuan atë garë kanë lënë shumë pikëpyetje dhe kanë ndikuar në mënyrën se si disa figura brenda PD-së e shohin sot përfshirjen në betejat e brendshme politike.
“Salianji në rast se do ishte në garë me Bashën, jam i bindur se ai nuk fitonte dot me Bashën, por ja vlente dhe ai duhet të futej në garë. Por duke e ditur se kush është Sali Berisha, që ai të vret, se faktikisht ai vrau. Edhe kur ishte gara e Bashës me Olldashin, e zhduku Olldashin ai. Kështu që nuk është aq budalla Salianji. Unë mendoj se ai di si ta ruajë kokën e vet”, tha mes të tjerash Beqiri.

Comments are closed.