Rikthehen sërish hijet e zeza mbi vdekjen e dyshimtë të gazetarit Kastriot Myftaraj. Historiani dhe analisti i mirënjohur Olsi Jazexhi ka deklaruar se është kërcënuar me jetë nga një person që përdor pseudonimin “Ken Shiro” në rrjetet sociale dhe aplikacionet e komunikimit që sipas tij ka deklaruar gjithashtu se ka lidhje me vrasjen e të ndjerit Kastriot Myftaraj . Sipas Jazexhit, personi në fjalë i ka dërguar mesazhe kërcënuese, ku shprehet se do ta qëllojë “me dy plumba”, duke e paraqitur këtë si një premtim të drejtpërdrejtë.
Jazexhi ka bërë të ditur se ka paraqitur kallëzim penal në Policinë e Shtetit, duke kërkuar identifikimin dhe ndalimin e personit që e kërcënon. Më tej, ai ka deklaruar se personi në fjalë është parë rreth orës 12:45 në parkingun e Partisë Demokratike, pranë Xhamisë së Namazgjasë. Sipas tij, kamerat e sigurisë së Partisë Demokratike mund ta kenë regjistruar këtë individ, i cili dyshohet se lëviz i armatosur në Tiranë dhe vijon ta kërcënojë me vrasje. “Njoftim për Policinë e Shtetit. Një person me pseudonimin “Ken Shiro”, që pretendon se ka vrarë Kastriot Myftarajn, më kërcënon me vrasje. Do të bëj kallëzim në polici për personin me pseudonimin “Ken Shiro” dhe shpresoj që policia ta identifikojë këtë person që më kërcënon me dy plumba dhe pretendon se ka vrarë edhe Kastriot Myftarajn. Personi në fjalë, në orën 12:45, ka qenë në parkingun e Partisë Demokratike, pranë Xhamisë së Namazgjasë. Kamerat e PD-së mund ta kenë kapur personin në fjalë, i cili duket se lëviz i armatosur në Tiranë dhe më kërcënon me vrasje me plumba”, shprehet në një reagim të fundit Jazexhi.
Dyshimet mbi vdekjen e Kastriot Myftarajt
Kastriot Myftaraj ndërroi jetë në rrethana që shumëkush i konsideron të dyshimta. Ai u raportua se kreu vetëvrasje duke u hedhur nga ballkoni i banesës së tij, por disa prova vënë në dyshim versionin zyrtar. Prokuroria dyshohet se ka kryer një hetim të mangët dhe anashkakuar analizimin e provave të rëndësishme, siç janë dy shenja gishtash, një njollë gjaku e ndryshme dhe një person me të cilin ka folur për herë të fundit në telefon. Dokumentet tregojnë për një njollë gjaku në vendin e ngjarjes, e ndryshme nga gjaku i gazetarit të ndjerë. Prokurori i çështjes nuk ka kërkuar se kujt i përket njolla e gjakut, gjë që duhet të ishte një hap elementar i hetimit. Në dritaren ku pretendohet se është hedhur Mytaraj janë konstatuar jo një, por dy shenja gishtash, sot ende të paidentifikuar se kujt i përkasin. Nga ana tjetër, familjarët dhe shumë prej ndjekësve të tij besojnë se ky akt i Myftarajt nuk ishte një veprim i vullnetshëm. Duke marrë parasysh natyrën e hetimeve të tij dhe armiqtë e shumtë që kishte krijuar përmes gazetarisë investigative, ende ka zëra se mund të ketë pasur ndërhyrje të jashtme në vdekjen e tij. Të gjithë miqtë e tij kanë konfirmuar se Myftaraj nuk ka patur asnjë shenjë depresioni, madje ishte më aktiv se kurrë, përfshirë edhe në rrjetet sociale. Sëmundja e tij nuk ishte e rëndë dhe sipas mjekëve ishte plotësisht e shërueshme. Ndërkaq, nëna e Myftarajt ka shprehur disa kohë më parë për gazetën “SOT”, bindjen se djalin ia kanë vrarë. Gjithashtu, Myftaraj po priste dikë pak minuta pasi u hodh apo e hodhën nga ballkoni. Ai ishte bërë gati dhe kishte folur me dikë në telefon. Nuk është hetuar se kush ishte personi i fundit me të cilin Myftaraj ka folur në telefon. Dyshimet shtohen kur miku i tij Kastriot Frashëri pasi kishte biseduar me nënën e tij dhe kishte parë skenën e ngjarjes, tha se kishte gjetur të këputur telin e rrobave dhe se me përmasat e tij trupore diçka e tillë do të ishte e pamundur, vetëm nëse Myftaraj do të kishte aftësi balerini për ta kryer një hedhje të tillë. Nëna dhe miqtë e tij thanë se pavarësisht se ishte diagnostikuar me një masë tumorale në kokë ai do të shkonte në Zvicër për të kryer ekzaminimet dhe si karakter luftarak që ishte nuk trembej para asgjëje. Kujtojmë se Myftaraj ka bërë denoncime të forta publike, madje disa prej tyre i çoi dhe në SPAK. Një nga rastet që vazhdon të komentohet është kallëzimi penal ndaj Belinda Ballukut.
Denoncimi misterioz
Në nëntor të vitit 2021, Myftaraj dorëzoi pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK) një kallëzim penal ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke e akuzuar për falsifikim në formularët e vetëdeklarimit të dekriminalizimit, konkretisht për mosdeklarimin e qëndrimeve të saj jashtë shtetit për periudha mbi një muaj, siç e kërkon ligji. Sipas Myftarajt, Balluku kishte deklaruar në formular se kishte qëndruar jashtë Shqipërisë vetëm për pushime njëmujore në Britaninë e Madhe, ndërkohë që në CV-në zyrtare të publikuar në faqen e Ministrisë së Infrastrukturës, ajo listonte si të kryera studime të gjata në Greqi (Instituti Teknologjik i Athinës) dhe në SHBA (Harvard dhe Miami), që implikojnë periudha të zgjatura qëndrimi jashtë vendit. Për Myftarajn, kontradiktat e hapura mes formularit të vetëdeklarimit dhe CV-së përbënin shkelje të ligjit të dekriminalizimit dhe ngrinin dyshime të forta për falsifikim apo deklarim të rremë, çka përbën vepër penale e dënueshme deri në shtatë vjet burg. Ai paralajmëroi se, nëse SPAK do të tregonte seriozitet dhe barazi para ligjit, Balluku duhej të hetohej, ashtu siç ishte hetuar dhe dërguar në gjykatë në atë kohë kryetari i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj, për të njëjtën vepër.
Hetimet e SPAK
Por ndryshe nga ç’ndodh me rastet e tjera, ngjarjet kanë marrë një kthesë të papritur. Detajet u zbuluan nga emisioni “Vetting” disa muaj më [arë, të cilët bënë një kërkesë për informacion në Prokurorinë e Posaçme për sa i përket ecurisë së hetimeve për denoncimin e Myftarajat ndaj Ballukut. Në kthim-përgjigje për “Vetting”, SPAK zbuloi se në 10 nëntor 2021 ka regjistruar kallëzimin penal nr. 303, për veprën penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal nga shtetasi Kastriot Myftaraj ndaj shtetases Belinda Balluku. Por sipas të dhënave mediatike, i ndjeri Myftaraj është paraqitur në SPAK në 3 nëntor 2021, ndërkohë ka një javë diferencë midis padisë dhe regjistrimit të saj në regjistrin e SPAK-ut. Prokuroria e Posaçme do të zbulonte se po në të njëjtën datë, më 10 nëntor 2021, i ndjeri Myftaraj ka paraqitur një kërkesë për t’u tërhequr nga kallëzimi i tij ndaj ministres Balluku. Në përgjigje SPAK deklaron se pavarësisht tërheqjes nga kallëzimit të Kastriot Myftaraj, ka vazhduar me verifikimet. Por ajo që ka shtuar dyshimet dhe misterin me këtë rast është fakti se brenda 4 ditësh në kohë rekord SPAK ka sqaruar çdo gjë, pasi sipas Prokurorisë së Posaçme janë kryer verifikimet e kallëzimit nga Myftaraj duke vendosur mosfillimin e procedimit penal më 15 nëntor 2021 pasi pretendimet e të ndjerit nuk kishin elementë penalë të falsifikimit. Në mbyllje të letrës, Prokuroria e Posaçme shton se vendimi i është njoftuar menjëherë kallëzuesit, ku rezulton se Myftaraj nuk ka ushtruar ankim në Gjykatë. Vetëm një vit pas padisë së tij në SPAK dhe denoncimeve në rrjetet sociale, në korrik të vitit 2022, Kastriot Myftaraj ndërroi jetë.

Comments are closed.