Politikania Monika Kryemadhi ka treguar sonte, një premtim që sipas saj, prokurori Altin Dumani u ka bërë diplomatëve amerikanë në këmbim për të marrë besimin e tyre për të drejtuar Prokurorinë e Posaçme, në momentet e para të krijimit të saj.
Bëhet fjalë për vitet 2018-2019, sipas Monika Kryemadhi, kur Altin Dumani garonte përballë Arben Krajës për të qenë drejtuesi i parë i SPAK, por që në fund u tërhoq.
“Altin Dumani e ka marrë çështjen në 2018, me idenë dhe propozimin e famshëm që unë do ta çoj Ilir Metën në burg, ju duhet të më bëni kryetar të SPAK. Ju e dini shumë mirë që në 2019 kur filloi historia, ishte beteja mes Altin Dumanit dhe Arben Krajës.
Më pas ai u tërhoq dhe u zgjodh Arben Kraja. Pastaj në 2022, kur Altin Dumani ka ardhur në krye të SPAK, një nga premtimet që i është bërë Juri Kim ka qenë ideja për arrestimin e Sali Berishës dhe Ilir Metës”, tha ish-deputetja e majtë.
Siç deklaroi Monika Kryemadhi në studion e emisionit “Top Story”, me arrestimin e Ilir Metës dhe Sali Berishës, Edi Rama largohej nga skena politike dhe në krye dilnin Lulzim Basha dhe Erion Veliaj; respektivisht njëri në krye të opozitës dhe tjetri në krye të mazhorancës.
“Pasi ka qenë ideja e famshme që drejtuesi i opozitës do të bëhej Lulzim Basha, ndërsa i mazhorancës do të ishte Erion Veliaj. Kjo ka qenë si një strategji politike, që duke u arrestuar Berisha me Metën automatikisht do të largohej edhe Rama, trekëndëshi i famshëm i Bermudës”, u shpreh ajo.

Comments are closed.