Djali i Gramoz Ruçit dhe bashkëshorti i Elisa Spiropalit në konflikt për aksionet e impiantit fotovoltaik në tokë shtetërore në bregdetin e Fierit…
Kur politikanët janë në kupolën e pushtetit, përfitojnë licenca dhe pasuri publike, i fshehin në emra familjarësh dhe krijojnë paqe interesash mes tyre. Por sapo “Sulltani” i largon nga postet, ata kacafyten për ndarjen e pjesëve që kanë fshehur, edhe kur kanë lidhje familjare e krushqie.
Kështu ka ndodhur para disa ditësh mes dy kushërinjve nga Salaria; djalit të Gramoz Ruçit, Ledian Ruçi, dhe Salarjon Totajt, për pronësinë e koncesionit të energjisë fotovoltaike në bregdetin e Topojës, Fier, në 50 mijë m² tokë shtetërore dhe me afat 35 vite.
Më 31 janar 2022, gjashtë muaj pasi Gramoz Ruçi dorëzoi mandatin e fituar në zgjedhjet e vitit 2021 në Fier, djali i tij Ledian Ruçi krijoi kompaninë “SLR Albania” sh.p.k., me objekt investim, ndërtim dhe shfrytëzim të impianteve të energjisë fotovoltaike dhe çdo lloj investimi tjetër.
Sipas dokumenteve zyrtare, pronësinë e kompanisë “SLR Albania” sh.p.k. dhe koncesionin e impiantit fotovoltaik e ka Ledian Ruçi, por është folur shpesh se bashkëpronar në hije është kushëriri i tij Salarjon Totaj, bashkëshorti i Elisa Spiropalit.
Pasi Edi Rama e largoi nga qeveria Elisa Spiropalin, bashkëshorti i saj i kërkoi kushëririt, djalit të Gramoz Ruçit, t’i regjistronte në QKB dhe t’i bënte legale 40% të aksioneve të tij në koncesionin e energjisë fotovoltaike në Topojë të Fierit.
Por, sipas informacionit, djali i Gramoz Ruçit ia mohoi pronësinë dhe refuzoi t’i njihte dhe t’i transferonte Salarjanit pjesën prej 40% të aksioneve të impiantit fotovoltaik.
Konfliktin mes tyre nuk mundën ta shuajnë as të afërmit, ndërsa policia e ka mbajtur të fshehtë ngjarjen, megjithëse ka pasur përplasje dhe kërcënime, siç ka ndodhur edhe në raste të tjera që përfshijnë familjarë të politikanëve të lartë.
Nuk dihet në çfarë faze është ky konflikt, por sipas dokumenteve në Qendrën Kombëtare të Biznesit, djali i Gramoz Ruçit vazhdon të jetë pronar 100% i kompanisë “SLR Albania” sh.p.k. dhe i koncesionit të energjisë fotovoltaike në Topojë të Fierit.
Gjithashtu, nuk dihet sa ka investuar Salarjoni si ortak në hije me 40% aksione, por bëhet fjalë për një projekt me vlerë rreth 35 milionë euro, burimi i të cilave nuk është deklaruar.
Konflikti mes tyre ka si shkak edhe faktin që nga 50 mijë m² tokë shtetërore në bregdetin e Topojës në Fier, të dhënë nga kryebashkiaku Armando Subashi, vetëm 30 mijë m² do të përdoren për ndërtimin e impiantit fotovoltaik, ndërsa 20 mijë m² do të përdoren për ndërtimin e hoteleve dhe komplekseve me vila e apartamente plazhi.
Në vendimin e lejes së zhvillimit, të firmosur nga Edi Rama, investimi është deklaruar 1.5 milionë euro, ndërsa sipas projektit teknik dhe fizibilitetit pritet të arrijë rreth 15 milionë euro.
Por sipas informacionit, investimi real i projektit është parashikuar të jetë rreth 35 milionë euro, ndërkohë që kapitali i kompanisë “SLR Albania”, që nga dita e themelimit, është vetëm 100 lekë dhe gjatë viteve 2022–2024 ka deklaruar humbje rreth 923 mijë lekë./Pamfleti

Comments are closed.